Kryeministri Edi Rama ka uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Pikësëpari me shëndet dhe patjetër edhe me rezultate sa më të mira”, shkruan ai në Facebook dhe postimin e tij e shoqëron me disa foto të shkrepura në shkolla. Nxënësit shfaqen me maska, u matet temperatura ndërkohë që duken edhe sinjalistikat e vendosur për ruajtjen e distancës.

Mirëpo ky postim i kreut të qeverisë ka sjellë reagimin e PD-së. Ish-deputetja Albana Vokshi ka akuzuar kryeministrit për propagandë dhe në Facebook shton se realiteti është shumë më ndryshe.

“Përkundët fotove të përzgjedhura nga Kryeministri, situata në shumë shkolla është krejt ndryshe. Kjo është shkolla “Gustav Mayer” në Tiranë. Mungesë organizimi nga ana e shkollës që ka çuar në grumbullime prindërish e nxënësish”, shkruan Vokshi, e cila shton se në këtë mënyrë nuk ka asnjë mundësi për respektim të protokollit të sigurisë së shëndetit. /tvklan.al