Manastirliu: Ulim fashën në +65 vjeç dhe 60 vjeç të sëmurët kronikë

Shqipëria do të marrë këtë javë të tjera doza vaksinash që do të ndihmojnë për të shtrirë edhe më tej procesin e vaksinimit masiv në popullatë. Kryeministri Rama, teksa ndoqi nga afër ecurinë e vaksinimit në Pogradec, deklaroi se veç Pfizer dhe Sinovac, pritet të vijnë dhe sasi të tjera vaksinash, por pa bërë të ditur se të cilës kompani.

“Këtë javë vijnë sasi të tjera të konsiderueshme vaksinash, që japin mundësi të vazhdojmë të vaksinojmë masivisht. Dhe po ashtu duke garantuar që sapo vjen afati i dozës së dytë vaksinat janë në dispozicion. Besoj që po këtë javë do të kemi edhe një lajm tjetër, për një tjetër dozë të konsiderueshme vaksinash të tjera”.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bëri me dije se po punohet për të ulur fashën e vaksinimit në +60 vjeç.

“Procesi po ecën shumë mirë, me ritme shumë të mira. Sot do të arrijmë 200 mijë vaksinime. Ndërkohë që përgatitemi të ulim fashën tek 65 vjeç dhe 60 vjeç për të sëmurët kronik”.

Sa i takon ecurisë së deritanishme të vaksinimit të popullatës, Manastirliu tha se po vijon me ritëm të lartë krahasuar edhe me vendet e rajonit.

“Ndërkohë qe me ritmet e vaksinimit jemi duke ecur shumë mirë edhe krahasuar dhe me vendet e rajonit, ritmet tona janë shumë të larta. Besojmë që me angazhimin e të gjithë punonjësve të shëndetësisë, vaksinatorëve dhe strukturave tona ky ritëm do të vazhdojë të jetë me intensitet të lartë”.

Që nga fillimi i procesit të vaksinimit, janë kryer 192,882 vaksinime.

Tv Klan