Rama: Projekte të mëdha në planifikim e sipër, sektorët ku do të shtrihen


Rama: Projekte të mëdha në planifikim e sipër, sektorët ku do të shtrihen

15:38 14/07/2021

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në edicionin e 23-të të simpoziumit “Symi” që organizohet në Athinë nën drejtimin e ish-kryeministrit grek George Papandreu. Kreu i qeverisë tha se partia që ai drejton është përpjekur që të mos identifikohet me pushtetin, por ndryshimin. Duke folur për fitimin e mandatit të tretë, Rama u shpreh se është përpjekur që të jetë i sinqertë me qytetarët. Kryeministri tha se në të ardhmen janë planifikuar disa projekte të mëdha për disa sektorë të ndryshëm të vendit si turizmi, infrastruktura dhe energjia.  

“Tashmë jam optimist sepse kemi mjaft punë të rëndësishme që janë në planifikim e sipër, projekte të mëdha, për turizmin, infrastrukturën, energjinë. Dhe po kështu themele të mira për kulturën tonë dhe teknologjinë e informacionit. Ia kemi dalë të kryejmë një ndryshim të shpejtë për ndryshimet elektronike. Gjatë Covid-it kjo na shpëtoi pasi kishim shumë shërbime që ishin online dhe mundësinë për të ndërvepruar me njerëzit”, tha Rama.

Po ashtu ai foli për shërbimet online.

“Nuk do të ketë më zyra shërbimesh në vend. Çdo shërbim është në xhepin tënd. Kjo është shumë e rëndësishme për të eliminuar këto korrupsionet e vogla që janë problem në vend, por besoj edhe në rajon, pasi kontakti i drejtpërdrejtë me punonjësit do të eliminohet. Sa më shumë të bëjmë në shtetet tona, sërish kjo ka kufizimet e veta”, u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë bëri thirrje edhe për një guidë turistike për të gjithë rajonin, ku t’i jepet mundësia turistëve që të kenë mundësi që të shkojnë në të gjitha vendet e rajonit.

“Disa vjet më parë kam parë një guidë të thjeshtë turistike, kur turizmi ishte mjaft modest, por guida u jepte turistëve një hartë të shtigjeve të mundshme që ishin përtej kufijve të vendit, duke u thënë që nëse hyni në këtë vend, mund të keni mundësinë të shkoni në jug drejt Greqisë apo vendeve të tjera. Dhënia e kësaj guide njerëzve në rajonin tonë mund të jetë një aset shumë i fortë për vendin tonë”, u shpreh Rama./tvklan.al






Të ngjashme