Kryeministri Edi Rama zhvilloi takim e radhës elektoral, dheu ndalur në qytetin e Gjirokastrës ku prezantoi kandidatin për bashki, Flamur Golemin. Duke iu referuar opozitës e cila nuk do hyjë në zgjedhjet e 30 Qershorit, Rama tha se “Ata janë në rrugë se nuk kanë çfarë të ofrojnë. E katandisën dhe e lanë rrugëve Partinë Demokratike”.

Rama u bëri një premtim të gjitha grave dhe vajzave që punojnë në bashki se nuk do largohen nga puna,

“Unë dua të them një gjë këtu, për ata që janë punonjës bashkish. E thashë edhe dje po e them edhe sot se ne do t’i marrim të gjitha bashkitë. Në asnjë nga bashkitë që ne sot nuk drejtojmë nuk do të largohet nga puna asnjë grua dhe asnjë vajzë, do të vazhdojnë të punojnë atë. Nuk duhet ta kenë fare problem se do të shkojmë ne atje se do i nxjerrim  nga puna. Asnjë grua dhe asnjë vajzë nuk do të preket në të drejtën për të vazhduar të punojë. Burrat tani si të duan! Duan të dalin dhe të shkojnë pas berihait, le ta provojnë! Jo që një herë duke shkelur ligjin do të përfundojnë burgjeve, por edhe sikur të mos përfundojnë burgjeve nuk kanë për të shkelur kurrë më në administratën e shtetit sepse i kap dekriminalizimi”, tha Rama.

Sipas tij, do jetë Partia Socialiste ajo e cila do shpëtojë Gjirokastrën dhe nuk do i hapë rrugë opozitës.

“PS nuk do u hapë rrugë çetave dhe në 30 Qershor, ata dhe kushdo tjetër që nesër do dojë të merret me politike, do mësojë se kush shkel rregullat për të imponuar rregulla të reja me dhunë, presion përfundon rrugëve si ata”./tvklan.al