Kryeministri Edi Rama ka sqaruar me detaje telefonatën e realizuar me drejtorin e Rai 3, gjatë një interviste në një emision online të gazetës në “La Repubblica”. Përballë një paneli, kreu i qeverisë shqiptare tregoi arsyen se përse u zhvillua kjo telefonatë.

“Nga e di ai që unë mora në tel për tu ankuar? Unë nuk ankohem kurrë, sepse nuk bën pjesë në mënyrën se si unë jetoj dhe i shoh gjërat. Unë kërkova kontaktin e drejtorit vetëm sepse ishte drejtori i një shërbimi publik i një vendi tjetër, nuk dija kujt t’i drejtohesha përveçse atij. Ia kërkova disa miqve në Itali kontaktin. Ka kaq shumë për t’u ankuar në këtë emision por nuk ishte ky qëllimi. Kërkova t’i flas për t’i ekspozuar diçka të rëndë sipas meje që është fakti që i është thënë publikut që i është kërkuar më shumë se 1 herë version i viktimës së kësaj balte, që është z. Agaçi dhe ky version nuk mbërriti kurrë.”

Teksa mohon akuzat, kryeministri Rama thotë se është censuruar nga televizioni italian.

“E vërteta është krejt ndryshe. Gazetari i shërbimit ka gënjyer hapur dhe në mënyrë flagrante, duke thënë që nuk i ka marrë përgjigjet, ndërkohë që i ka marrë përgjigjet dhe nuk i ka përdorur. Përgjigjet i ka marrë me shkrim ashtu sic ka dërguar pyetjet. Kjo është shumë e rëndë. Jo vetëm jemi censuruar, sepse unë nuk e kam telefonuar drejtorin për të censuruar ndokënd e as për t’i thënë pse na keni censuruar, por për t’i thënë na keni censuruar dhe na keni sulmuar sepse nuk jemi përfshirë në programin tuaj. Ky është kulmi. Kjo nuk është liri shtypi, kjo është shtypje e lirisë dhe e të drejtave.”

Kryeministri Rama u shpreh më herët se dokumentari i televizionit publik italian RAI 3 është një mënyrë sulmi ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni, në kurriz të Shqipërisë. Sipas kryeministrit, vetë gazetari i emisionit “Report” i televizionit italian RAI 3 e ka pranuar se ka gënjyer mbi faktet e dokumentarit.

Klan News