I rikthyer në metodën e vjetër të përcjelljes së mesazheve, kryeministri Edi Rama ka publikuar një video të xhiruar vetë, gjatë një takimi me disa banorë të Vorës, të njohur si votues të djathtë, por tashmë me teserë të Partisë Socialiste në dorë.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Më kanë mësy në derë tashti demokratët, demokratët e socializum, që nga Mandi këtu. Ja ku është! Ça na ke bo mo! Ça na ke pas bo!

Qytetari: Amo se s’kam bërë ndonjë gjë. Ja ku erdhe e morë tani të gjithë komplet, nga PD u bona PS, edhe me kartë të re.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: E more edhe teserën?!

Qytetari: Po po i morëm të gjitha. Nga punët e mira që janë bërë në Vorë duhet shpërblyer, duhet marrë karta e re.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Domethënë i le iluzionet tani, tani vetëm fakte.

Qytetari: Po po!

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Shumë mirë e ke! Ç’është më kjo, jam me këtë e jam me atë. Jo mor jo! Jam me punën, maroi! Ja edhe demokrati tjetër këtu!

Ky takim u shoqërua me shumë batuta, teksa këta banorë shpjeguan se përse zgjodhën t’i bashkohen PS.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Dukesha i rond unë, në arë televizor.

Qytetari: Po pra në aparencë të jashtme, kur të shikon kështu dukesh njeri i rond, njeri që s’ke dhembshuri, njeri që s’të afron, njeri që nuk të qa hallet. Por jo je tjetër njeri dhe për këtë të falenderoj.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Po dëgjoje popullin kur të thotë se djalli nuk është aq i zi sa duket, afroje djallin. Ja edhe ky demokrati tjetër!

Qytetari: Edhe unë si ish-demokrat kam, tre vjet që kam kaluar nga krahu i PS, që nga koha e tërmetit me një fjalë që filloi atëherë.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Megjithëse nuk e besoje.  

Qytetari: Nuk e besoja kurrë që Vora do të bëhej siç është bërë sot me një fjalë. Që ka ardhur kryeministri ka prerë shiritin për gjithë këto gjëra.

Banorët falenderuan kryeministrin për transformimin e Vorës, pas dëmeve të shumta që qyteti u përball gjatë tërmetit të vitit 2019.

Klan News