20 të arrestuarit e operacionit “Tempulli 3”, të cilët akuzohen për trafik dhe shpërndarje narkotikësh në mjedise që frekuentohen nga të rinjtë do të qëndrojnë në qeli. Dhoma Penale e Gjykatës së Tiranës vendosi të lërë në fuqi masat e sigurisë ndaj tyre. Ishte gjyqtari Dritan Hallunaj i cili miratoi kërkesën e prokurorit Albert Demirneli.

Prej 4 muajsh Policia e Tiranës ka dokumentuar aktivitetin e tyre kriminal, të shpërndarjes së drogave në afërsi të shkollave dhe lokaleve të natës. Për të kryer veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, grupi përdorte një numër celulari. Ky numër shërbente për të kryer porosi njëlloj si në një “call center”.

Në një dhomë në Laprakë qëndronin të paktën 3 persona që shërbenin si operatorë në 24 orë. Anëtarët e grupit komunikonin dhe përmes aplikacionit Signal. Pasi merrnin porosinë, dozat e drogës shkonin te klienti me taksi. Shoferët e këtyre mjeteve kryenin njëkohësisht dhe transportin e qytetarëve, por dhe shpërndanin lëndën narkotike. Policia ka arritur të zbulojë 3 drejtues taksie të cilët u vunë në pranga.

Burime nga policia bëjnë me dije se droga ruhej në shtëpi me qira që ishin marrë nga organizatorët e trafikut. Ata operonin kryesisht në zonën e “Laprakës” dhe “Xhamllikut”. Furnizues të këtij grupi ishin Ervis Gorellari dhe Fatjon Çiçi të arrestuar në shkurt të këtij viti në “Astir” dhe Enea Sulejmani, Igli Begaj e Shkëlqim Osteni të cilët u ndaluan më 22 Mars në një operacion në rrugën e “Kavajës”.

Si anëtarë të këtij grupi janë shpallur në kërkim 10 persona të tjerë. Gjatë operacionit, u sekuestruan 3.5 kg kokainë, 50 doza heroinë, 100 doza kanabis, 27 telefona dhe 5 automjete. Gjatë dy fazave të para të operacionit Tempulli dhe aksioneve të tjera kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në kuadër të këtyre hetimeve, në rang vendi u arrestuan nga policia 1100 persona.

Klan News