Me flotën e Policisë Rrugore, zjarrfikësve, emergjencës shëndetësore në shesh, qeveria dha mesazhin e asaj që do të jetë motoja e këtij sezoni veror “Qëndroni të sigurt Shqipëri”.

Kryeministri Edi Rama mblodhi një pjesë të ministrave, të gjithë kryetarët e bashkisë, tur operatorët në një konferencë të përbashkët në prag të çeljes së sezonit turistik, për të qartësuar detyrat dhe për të garantuar një sezon që do ta mbajë Shqipërinë në atë që shefi i qeverisë e quan Champions League-n e turizmit ku Shqipëria tashmë ka hyrë.

“Sot ne kemi hyrë në Champions League-n e konkurrencës në turizëm. Moment historik, por duhet të mbetemi në Champions League. Nëse më pyesni se ku do të jetë Shqipëria 2030, shifra e 20 milionë turistëve do të arrihet shumë më përpara”, tha Rama.

Turizmi i vitit të shkuar i solli vendit 4.2 miliardë Euro, para që sipas Ramës shkuan drejtpërdrejt tek njerëzit, përmes bizneseve të tyre.

Por kjo shifër sipas tij dhe projeksionet e vitit pasardhës tregojnë njëkohësisht konsolidimin e industrisë së turizmit në vend, ndërsa kryeministri nga konferenca zgjodhi të drejtojë një pyetje për të gjithë të rinjtë që punojnë jashtë në këtë sektor.

“Pse e lini këtë boshllëk? Do tregojmë vit pas viti që Shqipëria falë kësaj fuqie që po merr nga turizmi do të ketë kapacitetin të paguajë punonjës të kualifikuar pa asnjë ndryshim nga vendet e rajonit”, tha Rama.

Në fund të Qershorit dhe fillim të Korrikut kur flukset e turistëve pritet që të jenë më të mëdha do të dorëzohen dy projektet të rëndësishme infrastrukturore.

“30 Qershor, Thumanë-Kashar do të jetë një aks i përshkrueshëm. Tuneli i Llogarasë do të hapet 1 ose 2 ditë më pas”, tha ministrja Balluku.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, bëri të qarta në shifra të gjithë angazhimin e forcave mbrojtëse, detare e ajrore, për të siguruar atë që ai e quan pushime të qeta dhe të sigurta për turistët.

“Pas pak ditësh do të jenë gati dhe ngritur 6 stacione shtesë të policisë së Shtetit në zonat me fluks të shtuar turistik. Gjatë këtij sezoni turistik, do të angazhohen me shërbim në zonat turistike/plazhe në total 1635 punonjës policie”, tha Balla.

Ministra e Turizmit, Mirela Kumbaro apeloi që çdo operator turistik të certifikohet.

“Pa këtë certifikatë asnjë operator apo individ nuk mund të ushtrojë aktivitetin e tij dhe policia kufitare janë në të drejtën e tyre t’ju ndalojnë aktivitetin”, tha Kumbaro.

Një sërë masash ka marrë edhe Ministria e Ekonomisë dhe Kulturës, për mbarëvajtjen e operimit të siteve kulturore.

“Zgjatjen e orareve të funksionimit të institucioneve të trashëgimisë kulturore, shtesë në personel, jo vetëm në muajt e sezonit të lartë. Hapja për publikun gjatë gjithë javës nga e hëna në të diel”, tha ministri Gonxhja.

Shifrat e 3 muajve të parë vitit tregojnë vendin e kanë vizituar 1.7 milionë turistë të huaj me një rritje me 43% më shumë se një vit më parë.

Tv Klan