“Dronë superinteligjentë për kontrollin e territorit”

Takimin me pronarin e kompanisë së prodhimit të disa lloje vaksinash, e njëkohësisht distributorit që ka bërë të mundur sjelljen e vaksinave Sinovac në vendin tonë, Xhantyrk Allagoz, kryeministri Rama e veçoi si shume të rëndësishëm në serinë e bashkëbisedimeve që pati gjatë ditës së dytë të vizitës së tij në Turqi.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se me Allagoz diskutoi edhe për ndërtimin e fabrikës së 7 llojeve të vaksinave, si zemra e një qendre të klasit të parë të prodhimit farmaceutik në vendin tonë.

E për të mbetur te fusha e shëndetësisë Rama evidentoi se gjatë takimeve bilaterale me palën turke u diskutua edhe për të çuar përpara reformën e Autonomisë Spitalore, binjakëzimin e Agjencive të Barnave dhe perspektivën për shndërrimin e Spitalit Rajonal Memorial të Fierit në një spital universitar. Në funksion të kësaj ishin edhe bisedimet për çeljen në Shqipëri të filialit të Universitetit Teknik të Stambollit dhe planin për hapjen e fakultetit të  ardhshëm të mjekësisë e infermierisë pranë Spitalit Rajonal Memorial.

Krahas bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, me sipërmarrjen e ekselencës turke u diskutua edhe për hapjen e “Teknopark Albania”, një qendër e teknologjisë së lartë në periferi të kryeqytetit, për kompanitë HighTech, Start Up-et e kërkimin shkencor, si katalizator i transformimit ekonomik e social dhe krijimit të vendeve cilësore të punës për të rinjtë.

Po ashtu, kreu i qeverise beri me dije edhe takimet për sistemin e kontrollit të territorit të vendit me dronë superinteligjentë, për prodhimin e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet, apo rendin publik.

Pjesë e diskutimeve dypalëshe të anëtarëve të delegacionit shqiptar në Turqi ishte edhe programi për Mandatin e Tretë për infrastrukturën, si dhe bashkëpunimi për fushën kulturës dhe turizmit, me fokus programin e restaurimeve në Berat e Gjirokastër dhe investimet në hotelerinë me 5 yje në bregdet.

Tv Klan