“Meta takon subjektet e OFL, patronazhistët s’kanë punë me të”

Gjatë takimit me socialistët në Pogradec, kryeministri Rama komentoi edhe konferencën e presidentit Ilir Meta në lidhje me patronazhistët dhe të dhënat që ato disponojnë për qytetarët e Tiranës. Rama tha se të dhënat janë në internet qysh nga koha kur ishte Bujar Nishani ministër i Brendshëm në 2009.

“Të dhënat tona janë shumë të ndryshme nga ato që kanë dalë. Po le ta zëmë, i përhapëm ne këto? E dyta nuk e di Ilir Meta qysh prej vitit të largët 2009 kur rreshter Nishani ishte Ministër i Brendshëm, e gjithë data baza e Gjendjes Civile ka dalë, deri para 2-3 vitesh blihej? E kishin kapur me një foto me kapuç, dielli shkëlqente, presidenti me kapuç atje. Natyrisht se kur takon subjektet e OFL do vësh dhe kapuç, se ai është i bindur që e kanë kapur patronazhistët. As s’kanë punë fare me të. Patronazhistët nuk kanë kohë për të humbur me Ilir Metën, ia dimë mendimet një për një”.

Në takimin e elektoral me mbështetësit në Peqin, Edi Rama ju kërkon votëbesimin në 25 Prill për të mos u kthyer pas duke renditur me emra jo vetëm krerët e partive që ka përballë në këtë garë, por dhe kandidatin e këtij qyteti në listën e PD.

Është i bindur tek mbështetja që do i jap i gjithë Qarku i Elbasanit socialistëve në këto zgjedhje, e në mënyrë të veçantë Peqini.

Pranon se për Peqinin nuk është bërë sa duhet, por i siguron se me projektet për portet dhe aeroportet do të përfitojë çdo qytet ku turistët do të ndalen për të parë atraksionet që ofron çdo njeri prej tyre, e që në Shqipëri nuk mungojnë në asnjë zonë.

Tv Klan