Raporti i ekspertëve: Ndërtesa në Florida me dëme të mëdha strukturore


Raporti i ekspertëve: Ndërtesa në Florida me dëme të mëdha strukturore

20:50 26/06/2021

Në një artikull të publikuar të shtunën në gazetën “New York Times” thuhej se sipas një raporti tre vjeçar hartuar nga një inxhinier ndërtimi, objekti 12-katësh i shembur në Florida, kishte “dëmtime të mëdha strukturore” në pllakën e betonit poshtë strukturës së pishinës.

Për më tepër, sipas gazetës, inxhinieri kishte vënë re dëmtime të “mëdha” në mure, trarë dhe kolonat e garazhit të makinave.

Sipas “New York Times”, ky raport ishte dhe baza për “një projekt riparimi prej miliona dollarësh që ishte vendosur të fillonte së shpejti”.

Gazeta tha se zyrtarët lokalë e publikuan raportin të premten vonë në mbrëmje.

Në raportin e vitit 2018 nuk jepej ndonjë provë se ndërtesa ishte gati të rrëzohej, por thuhej se “pjesa më e madhe e betonit të dëmtuar duhet të riparohet në kohën e duhur”.

Gazeta “Washington Post”, duke cituar një studim të kryer vitin e kaluar, raportoi se kompleksi me 130 apartamente ishte ndërtuar në zonën e plazhit të Majamit , e cila vazhdon të zhytet gradualisht që nga vitet 1990.

Nuk është e qartë nëse këta kanë qenë faktorë që kontribuan në shembjen e një pjese të ndërtesës.

Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë ende operacionin në një përpjekje për të gjetur të mbijetuar. Katër persona janë konfirmuar të vdekur dhe nuk dihet ende fati i 159 të tjerëve./VOA






Të ngjashme