“Është absurde, masë drastike, kjo qeveri çfarë nuk po ndalon…”

Janë reagimet e të rinjve kur informohen se, me një vendim absurd të marrë në fshehtësi, parlamenti u ka ndaluar të blejnë pije energjike apo edhe ato freskuese, si Coca Cola, Fanta, Sprite, Pepsi, çaji i ftohtë e të tjera.

Sipas ligjit, të iniciuar nga deputeti Erion Braçe, do të duhet të mbushin 18 vjeç për ta provuar edhe njëherë tjetër shijen e këtyre pijeve.

Ose në të kundërt, do të duhet ta pijnë fshehtas ndonjë polici, që edhe mund t’i gjobisë, nëse ligji absurd, që e barazon Shqipërinë me Korenë e Veriut, do të dekretohet nga presidenti i Republikës.

Deputetët që e mbështeten ligjin u bazuan në një studim të Institutit të Shëndetit Publik që thotë se pijet energjike dhe freskuese me sheqer të shtuar shkaktojnë obezitet, si pasojë e kafeinës që përmbajnë.

I njëjti studim thotë se të njëjtin efekt negativ kanë edhe Fast – Food-et, siç pohohet edhe nga dietologet.

Nëse ligji do të ishte realisht për të mbrojtur shëndetin e personave nën 18 –vjeç, i njëjti grup deputetësh do të duhej të kishte shtuar aty edhe ndalimin e konsumimit të të gjitha llojeve të Fast – Food-eve, si panine, hamburger, sufllaqe, qofte e të tjera.

Juristë që janë njohur me detaje të ligjit, pasi ai kaloi në Kuvend, thonë se masat e marra nuk i shërbejnë qëllimit për të cilin thuhet se u hartua dhe u miratua në fshehtësi të plotë ligji, pasi adoleshentët e marrin kafeinën edhe nëpërmjet ushqimeve të tjera dhe për këtë arsye, për t’i mbrojtur ata nga kafeina e pijeve energjike e freskuese, mjafton që këto pije të shoqëroheshin me një etiketë të posaçme që tregon përbërësit e tyre.

Ligji, thonë juristët, shkel lirinë e veprimtarisë ekonomike të tregtareve apo subjekteve të tjera, pasi ndalon edhe reklamat për pijet energjike e freskuese, si dhe shkel marrëveshjen e Asocim Stabilizimit, që i kërkon Shqipërisë t’i përafrojë ligjet me ato europiane.

Deri tani asnjë vend në Europë nuk e ka një ligj të tillë dhe juristët shpresojnë në një kthim të tij nga Presidenti i Republikës.

Tv  Klan