Avokati: Klienti im nuk ka lidhje me ngjarjen

Redjan Rraja, i arrestuari i vetëm për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe ku humbi jetën shoferi i tij Andi Maloku dhe u plagos Pëllumb Muharremi, do të kërkojë në Gjykatën e Apelit ndryshimin e masës së sigurisë.

Përmes avokatit të tij, 34-vjeçari vazhdon t’i qëndrojë deklarimeve se nuk ka lidhje me ngjarjen, edhe pse organi i akuzës ka si provë një gjurmë gishti që u gjet në automjetin e braktisur. Dy ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë arrest me burg për Redjan Rrajën.

Prokuroria dhe Policia vazhdojnë kërkimet për të ndaluar persona të tjerë që mund të këna marrë pjesë në atentat. Forcat speciale kanë bastisur banesën e një personi me precedent të theksuar kriminal në Lushnjë, por kontrolle janë ushtruar edhe në zonat përreth.

Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se laboratori i Policisë Shkencore ka konfirmuar se plumbat e gjetura në vendin e ngjarjes, janë qëlluar nga armët e gjetura në mjetin që u braktis në fshatin Shkafanë të Ishmit.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, nga provat e gjetura në brendësi të automjetit, krahas disa gjurmëve të gishtave pritet të përfitohen edhe disa profile ADN-je për të bërë të mundur identifikimin e personave të tjerë.

Tv Klan