Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pritur pasditen e të shtunës për t’i kthye përgjigje Kryetarit të parlamentit, Ilir Meta, për ftesën e bërë një ditë më parë. Basha ka zgjedhur paraditen e të dielës për t’u ulur në takim me Metën, në orën 11:00 në hotel “Rogner”.

Tema e takimit është Reforma në Drejtësi dhe kapërcimi i ngërçit që po mban pezull votimin e ndryshimeve kushtetuese.

Basha, ashtu si në takimin me Kryeministrin, do të ketë në krahun e tij Oerd Bylykbashin, ndërsa Ilir Meta, Petrit Vasilin.

Duket se LSI është e bindur tek aftësitë negociatore të Ilir Metës, për arritjen e një marrëveshje që do të çonte në miratimin e Reformës në Drejtësi. Të paktën këtë ka lënë të kuptohet në një takim partiak në Gjirokastër, paraditen e të shtunës, Luan Rama.

 “LSI është e vendosur të kontribuojë maksimalisht për të garantuar konsensusin e nevojshëm që të çojë në një votim unanim të reformës në Kuvend dhe për të dëshmuar para opinionit publik vendas e ndërkombëtar se ne dimë të bëjmë zgjidhjet e duhura në interes të Shqipërisë. Por reformat e mëdha kanë nevojë për lider të mëdhenj, për njerëz vizionarë, të aksionit, fjalës së mbajtur dhe të respektit ndaj qytetarëve”

Pika e vetme ku ka ngelur Reforma në Drejtësi janë vendet e rezervuara për përzgjedhjen e anëtarëve të institucionet e reja kushtetuese, që kërkohen me ngulm nga Partia Demokratike. /TV KLAN