Reforma Zgjedhore, Kim: Palët duhet të jenë në gjendje që të ulen dhe të arrijnë në një marrëveshje


Reforma Zgjedhore, Kim: Palët duhet të jenë në gjendje që të ulen dhe të arrijnë në një marrëveshje

22:07 29/09/2022

E pyetur për Reformën Zgjedhore dhe zgjedhjet në Shqipëri, ambasadorja amerikane Yuri Kim thotë se është shumë e rëndësishme për drejtuesit politikë, pavarësisht përkatësisë partiake, që të jenë të aftë të flasin me njëri-tjetrin dhe që të arrijnë marrëveshje të cilat janë në interesin publik. Ambasadorja shprehet se në fund janë njerëzit që humbasin dhe nuk duhet që udhëheqësit politikë shqiptarë të kenë nevojë për dikë nga jashtë, përfshirë edhe ambasadoren amerikane, për t’u ulur në të njëjtën tavolinë, në mënyrë që të flasin për të mirën e popullit shqiptar. “Kur partitë flasin, nuk do të thotë se njëra palë është blerë nga pala tjetër. Nuk do të thotë se njëra palë është peng dhe tjetra është pengmarrëse”, shprehet mes të tjerash Kim.

Blendi Fevziu: Po ju pyes gjithashtu edhe mbi dy probleme. Janë problem i ligjit zgjedhor dhe problemi i reformës zgjedhore. A keni koment mbi këto të dyja?

Ambasadorja Kim: Raporti i ODIHR-it i cili u publikua pas zgjedhjeve në prill vitin e kaluar, doli me rekomandime shumë të qarta, ashtu si edhe raportet mbi zgjedhjet përpara tyre. Prandaj ne do donim t’i shihnim të gjithë, udhëheqësit politikë dhe deputetët që të veprojnë mbi këto rekomandime.

Blendi Fevziu: Çfarë mund të bëjmë mbi to, Zonja Ambasadore, kemi pasur gjithnjë probleme në 30 vjet. Një palë nuk pranon zgjedhjet, më së shumti, ndonjëherë po, por më së shumti nuk i pranojnë. Çfarë mund të bëjmë që të votojmë dhe të kemi besim në votë?

Ambasadorja Kim: Së pari, mendoj se kjo lidhet me problemin fillestar për të cilin folëm, mbi përpjekjet e Rusisë për të minuar demokracinë. Prandaj, ju duhet të merrni masa që sjellin transparencë më të madhe në sistem. Pjesa tjetër është kjo: pas 31 vitesh, ka ardhur koha që të jemi më të pjekur në mënyrën sesi sillemi me njëri-tjetrin. Po ju jap një shembull. Amerika…

Blendi Fevziu: Por kjo është çmenduri, pas 31 vitesh, gjithnjë…

Ambasadorja Kim: Kërkon kohë…

Blendi Fevziu: Gjithnjë njëra anë nuk pranon…

Intervista e plotë e Ambasadores Yuri Kim në “Opinion”

Ambasadorja Kim: Pra, kemi… Shqipëria nuk është e vetmja.

Blendi Fevziu: Ndodh vetëm me ne, jo në Maqedoni, jo në Kosovë, jo në vendet e tjera.

Ambasadorja Kim: Mendoj se njerëzit si juve, kanë gjithashtu përgjegjësi, për të edukuar publikun dhe për t’u treguar atyre se kjo nuk është mënyra se si Shqipëria duhet të jetë e veçantë. Në zgjedhjet këtu, disa herë ka pasur probleme. E kuptoj se ka pasur probleme në 1996, për shembull, por më së shumti, zgjedhjet e vitit të kaluar u konfirmuan nga ODIHR-i si të besueshme. Pra është koha të pranojmë se kur zgjedhjet mbahen duke zbatuar të gjitha standardet ndërkombëtare, rezultatet duhen respektuar. Përtej zgjedhjeve në sjelljen e politikës, është shumë e rëndësishme për drejtuesit politikë, pavarësisht përkatësisë partiake, që të jenë të aftë të flasin me njëri-tjetrin dhe që të arrijnë marrëveshje të cilat janë në interesin publik. Përse e them këtë? Mendoj se në intervistën tonë të parë Blendi, ne folëm mbi habinë time kur erdha këtu dhe zbulova se fjala kompromis ishte një fjalë e pistë në Shqipëri dhe në botën politike këtu. Dhe nuk duhet të jetë ashtu. Dikush që i përket një partie tjetër, apo ka një këndvështrim të ndryshëm, mund të jetë kundërshtari yt në atë çështje por nuk janë armiqtë tuaj.

Blendi Fevziu: Po, një armik, ky është…

Ambasadorja Kim: Duhet të jeni në gjendje që të uleni dhe të arrini në një marrëveshje. Ju e mbani mend që ka pasur aq shumë periudha në historinë moderne të Shqipërisë ku një palë thjesht vendos: nuk do të flas me palën tjetër dhe largohen. E di kush humbet në fund?

Blendi Fevziu: Po, absolutisht.

Ambasadorja Kim: Janë njerëzit.

Blendi Fevziu: Kjo është 100% e vërtetë.

Ambasadorja Kim: Janë njerëzit që humbasin, dhe nuk duhet që udhëheqësit politikë shqiptarë të kenë nevojë për dikë nga jashtë, përfshirë edhe ambasadoren amerikane, ju nuk duhet të keni nevojë për dikë nga jashtë për t’ju ulur në të njëjtën tavolinë, në mënyrë që të flisni për të mirën e popullit shqiptar. Kur partitë flasin, nuk do të thotë se njëra palë është blerë nga pala tjetër. Nuk do të thotë se njëra palë është peng dhe tjetra është pengmarrëse. Nuk do të thotë se ka ndonjë komplot të çmendur. Do të thotë se këta janë drejtues politikë, të cilët janë të pjekur, dhe të cilët bëhen bashkë me qëllimin për t’i shërbyer publikut shqiptar që i ka zgjedhur në atë detyrë. Këtë do të thotë.

Blendi Fevziu: Jam plotësisht dakord.

Ambasadorja Kim: E shihni situatën në Uashington, apo jo? Udhëheqësit tanë politikë kanë shumë, shumë mosmarrëveshje të forta. Por janë civilë me njëri-tjetrin, ata ulen pranë njëri-tjetrit. Dhe askush nuk thotë, për shembull, Nensi Pelosi bleu Kevin Mekarthin. Nuk ndodh kështu. Jo në demokraci. Dhe kjo nuk është mënyra se si duhet të ndodhë.

Blendi Fevziu: Por ju keni 250 vjet demokraci. Ne kemi vetëm 30.

Ambasadorja Kim: Kjo është e vërtetë.

Blendi Fevziu: Dhe në anën tjetër, duke u kthyer në pyetjen e parë që bëra, problem tek financimi i paligjshëm, blerja e votave, duhet të ndërpresim edhe këto praktika.

Ambasadorja Kim: Drejtë.

Blendi Fevziu: Të cilat janë shumë popullore gjatë zgjedhjeve.

Ambasadorja Kim: Po, jam dakord me juve…/tvklan.al












Të ngjashme