Drafti për Kodin e ri Zgjedhor nuk është ende gati. Edhe pse palët patën deklaruar se këtë të martë mund të përfundoheshin çështjet e fundit teknike duket se mes diskutimeve ka pasur një kthesë sa i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri, deklaroi gjatë një prononcimi për mediat se mes palëve gjatë takimit të sotëm nuk u ra dakord për asgjë. Përkundrazi, sipas tij, PD-ja iu kthye skemës politike të KQZ-së, ndryshe nga ajo që ishte propozuar nga ekspertët.

“Nuk ramë dakord për ndonjë gjë. PD iu kthye skemës politike të KQZ-së dhe kjo të bën të mendosh që ajo që kishin propozuar ekspertët ka qenë të krijojmë një trup KQZ-je të qëndrueshme përtej mandatit të Kuvendit. Siç duket PD me ç’kuptoj ka kërkuar një marrëveshje zgjedhore për të marrë disa garanci që kanë të bëjnë me identifikimin e zgjedhësve. Mbase do të ishte më e ndershme të mbajmë KQZ-në siç është. Realisht ky ishte një devijim i paparashikuar i bisedës. Unë mendoj që ata duhet të reflektojnë. Nuk mund të zhbëjnë parlamentin, as të devijojnë rrugën parlamentare. Ata kërkojnë mandate 4-vjeçare. Duan të kthehen te KQZ-ja aktuale. Kjo u kthye në një marrëveshje për të marrë pjesë në zgjedhje”, tha Gjiknuri.

Ndërkohë përfaqësuesi i Partisë Demokratikenë Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi deklaroi se opozita i vendosi në tryezë një propozim mazhorancës në lidhje me KQZ-në këtë të martë. Sipas tij, përzgjedhja dhe emërimi i tre trupave të KQZ-së duhet të bëhet nëpërmjet të njëjtës formulë si ajo e gjyqtarëve në Reformën në Drejtësi. Mirëpo, Bylykbashi tha se mazhoranca nuk e mori parasysh këtë kërkesë dehe e refuzoi. Sipas tij, Partia Socialiste synon që të kapë plotësisht KQZ-në.

“Kemi bërë propozim për një formulë të përzgjedhjes dhe emërimit të tre trupave të KQZ-së nëpërmjet një formule të mirëpranuar dhe kolauduar që sot është në Kushtetutë. Është bekuar nga partnerët ndërkombëtar dhe ka prodhuar organet e drejtësisë. Një formulë që u kundërshtua nga mazhoranca socialiste pa asnjë arsyetim. Sot asaj nuk i intereson sepse i intereson kapja e plotë e KQZ-së në të tre organet. Mazhoranca kërkon kapjen e të gjitha organeve”, tha Bylykbashi.

Sipas deputetit Gjiknuri, PD-ja ka kërkuar që në Kodin Zgjedhor të shkruhet edhe procedura e tenderimit të identifikimit biometrik.

Gjiknuri tha se PS-ja do ta respektojë marrëveshjen me selinë blu, megjithatë do të punojë edhe me opozitën parlamentare, për shkak se janë ata që do të votojnë këtë kod të ri./tvklan.al