Ditën e sotme është regjistruar në zgjedhje Partia Social Demokrate. Disa ditë më parë u bë e ditur se kërkesën për regjistrim të kësaj partie e ka bërë kryetari i saj Tom Doshi. Siç thuhej në kërkesën e PSD-së që mbante numër protokolli 2040, kjo parti kërkonte regjistrimin në zgjedhjet e 25 Prillit dhe në fund, letra ishte e firmosur nga kryetari i PSD-së, Tom Doshi.

Kërkesa e firmosur nga Tom Doshi

Por këtë të hënë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se pas depozitimit të kërkesës për regjistrim i ka kërkuar PSD-së plotësim dokumentacioni. Sipas këtij dokumentacioni të plotësuar, kryetar i PSD-së nuk rezulton më Tom Doshi, por Engjell Bejtja.

“Pas depozitimit të kërkesës për regjistrim, KQZ i ka kërkuar partisë PSD plotësim dokumentacioni. Sipas dokumentacionit të plotësuar kryetari i PSD rezulton, Engjëll Bejtaj”, njoftoi KQZ-ja.

Kërkesa e firmosur nga Engjëll Bejtja

Kujtojmë që ambasadorja amerikane Yuri Kim u bëri thirrje liderëve politikë që të mos e kandidojnë Doshin në zgjedhjet e 25 Prillit. Ajo kujtoi shpalljen “non grata” të tij ndërsa thoshte se “shqiptarët meritojnë më shumë se kaq”.

Disa ditë më vonë, sërish përmes rrjeteve sociale Yuri Kim deklaroi se kishte biseduar me kryeministrin Edi Rama për këtë çështje dhe se kreu i qeverisë i kishte kujtuar që e kishte larguar Doshin nga PS-ja. Po ashtu, ajo tha se ka marrë garancitë nga Rama se Doshi nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie të ngritur prej tij./tvklan.al