Trajneri i kombëtares beson te fitorja ndaj Andorrës pavarësisht mungesave të shumta

Trajneri Edi Reja kërkon që kuqezinjtë të harrojnë disfatën kundër Anglisë dhe të përqendrohen te sfida e fundit e fazës kualifikuese në botërorin Katar 2022 ndaj Andorrës.

Shqipëria luan në “Air Albania” në orën 20:45 të hënën, një ndeshje që është vendimtare për të arritur objektivin, vendin e tretë në Grupin I.

Në konferencën për shtyp, italiani kujtoi se Andorra është një ekip që ka bërë të vuajë Shqipërinë.

“Skuadra është e motivuar, sepe e di se duke marrë tri pikët, do të arrijë një shifër të rëndësishme 18 pikë, rezultat i jashtëzakonshëm. Na vjen pak keq që humbëm me Anglinë, por ndaj tyre pranohet humbja. Me Poloninë nuk duhej të kishim humbur. Duhet të fitojmë me Andorrën, është e rëndësishme për ne, sepse nëse nuk fitojmë do të hedhim poshtë gjithë këtë rritje që kemi pasur “.

Ndërsa kapiteni i kombëtares Elseid Hysaj kërkon kujdes dhe një fitore të fundit.

“Ta dimë që Andorra është një ekip i vështirë, që duhet të jemi të përqendruar dhe jo të shkojmë me mendjen sikur është Andorra, jemi në shtëpinë tonë dhe do fitojmë lehtë. Thjesht duhet të jemi të qetë në fushë e kur të kemi momentin, ta shfrytëzojmë”.

Mbrojtësi mendon se humbja ndaj Anglisë duhet përdorur për t’u ringritur.

Klan News