“Xhaka nuk është Messi”

Në ndeshjen e parafundit të kualifikueseve të Euro 2020, trajneri i kombëtares Edy Reja kërkon të aktivizojë lojtarët e rinj të grumbulluar. Ai pret të mësojë për gjendjen fizike dhe shëndetësore të Kamberit dhe Seferit pasi dëshiron ti shohë në lojë.

“Kamberi dhe Seferi kanë mundësinë të luajnë. Do të shohim gjendjen e tyre në mënyrë që t’i fus në lojë, nga fillimi ose jo, por kam dëshirë t’i shoh të luajnë”.

Italiani po bën atë që kishte premtuar, rinovimin e skuadrës por kjo e ka një kosto dhe kosto kësaj radhe e ka emrin Taulant Xhaka. I thirrur në kombëtare pas dëmtimit të Abrashit, Xhaka ka refuzuar ftesën.

“Xhaka mendon se sa herë të vijë duhet të luajë. Herën e fundit nuk luajti dhe u mërzit. Ata që vijnë duhet të jenë të qetë. Luajnë të gjithë ose nuk luan askush. Është detyre e trajnerit që të vendosë. Grupin e kemi solid. Kush mendon se është Messi, këtu nuk ka vend. Më vjen keq edhe për Grezdën. Nuk pranoi disa kushte dhe i thashë të shkojë në shtëpi. Është grupi jo individi. Edhe për lojtarë të rëndësishëm siç është Xhaka”.

Trajneri Reja do të vazhdojë të aplikojë reshtimin 3-5-2 pasi skuadra po përgjigjet mirë. Lojtarët janë në formë dhe të gjithë të gatshëm. Kuqezinjtë madje kanë gjetur edhe një motiv për të fituar në këto ndeshje, edhe pse nuk ka mundësi kualifikimi.

“Ndjehem mirë fizikisht. Mendojmë më shumë për Andorrën se është më e vështirë për ne për të arritur rekord pikësh. Me Francën stadiumi me shumë mbeështetje nga tifozët. Do të jemi si me Moldavinë do sulmojmë. Duhet teë jemi të qetë të presim momentin”, thotë Elseid Hysaj.

Trajneri Reja dhe kapiteni Hysaj kërkuan edhe njëherë mbështetje sa më të madhe të tifozëve në “Elbasan Arena”, por shprehen bindjen se në stadiumin e ri në kryeqytet prania e e tyre do të jetë e lartë.

Tv Klan