Ardian Narkaj ishte dënuar me 21 vite burg
Ardian Narkaj, 52 vjeç, i shpallur në kërkim për një vrasje të dyfishtë, ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni të forcave RENEA për kapjen e tij. Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit të sotëm në një zonë malore të Kastratit, në vendin e quajtur “Gropat e Vrinit” në Malësinë e Madhe, teksa Narkaj qëndronte i fshehur në një stan për ti shpëtuar ndjekjes së policisë.
Ai mbahej nën vëzhgim prej disa ditësh, pasi banorët e zonës kishin raportuar në polici se një person i panjohur lëvizte I armatosur. Në bazë të informacioneve të marra mbrëmjen e djeshme në zonë mbërritën edhe forcat RENEA të cilat bënë rrethimin e zonës.
Ata i kërkuan 52-vjeçarit të dorëzohej, por ai nuk i është përgjigjur urdhrit të policisë dhe duke përfituar nga tereni i vështirë ka tentuar të largohet. Ndaj forcat RENEA, për ta neutralizuar e kanë plagosur atë. Ai ka marrë disa plagë, mes të cilave një në kraharor dhe një në këmbë.
Narkajt i është dhënë ndihma e parë nga forcat e policisë dhe më pas nisur nga gjendja e tij e vështirë, është dërguar me helikopter në spitalin ushtarak në Tiranë, ku edhe është nën kujdesin e mjekëve.
Ardian Narkaj ishte në kërkim pasi akuzohet për një vrasje e dyfishtë të Gjergj Shotës dhe Tonin Ulajt në vitin 2008, e ndodhur në fshatin Bratosh të Malësisë së Madhe. Vrasjet ndodhën gjatë kohës kur dy viktimat ishin persona të shpallur në kërkim nga Policia, ndërsa e akuzonin Narkajn si spiunë të policisë.
Për këto vrasje ai u dënua nga Gjykata e Apelit Shkodër me 21 vite burg burg, por Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë prishi vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit në Shkodër, duke kthyer çështjen për rishqyrtim.
Tv Klan