Replika për ndryshimet kushtetuese



Replika për ndryshimet kushtetuese

20:23 30/07/2020

Rama, Basha e Meta ashpërsojnë tonet pas votimit

Lulzim Bashës që në formë të prerë deklaroi se nuk do t’i njohë ndryshimet kushtetuese, kryeministri iu përgjigj duke e ftuar të nisin pa vonesë nga puna për të bërë amendimet e nevojshme në kodin elektoral.

“S’ka kohë për të humbur. Puna duhet të fillojë nesër. Kush nuk vjen në tryezë mbetet jashtë vendimmarrjes. Konsensusi 100% është i mirëseardhur, po asnjë pakicë s’e merr dot peng shumicën kushtetuese në këtë proces – vota e sotme duhet të mjaftojë për të mos e provuar prapë!”

Por ftesën Basha e refuzoi me kërcenim.

“Koston e konfliktit të krijuar me hedhjen në erë të marrëveshjes së 5 Qershorit dhe 14 Janarit, do ta mbash vetëm ti personalisht Edi Rama. Nëse mendon se me konfliktin e krijuar dhe me prishjen e stabilitetit demokratik të vendit, do të marrësh garanci për kokën tënde dhe të hajdutëve që të rrethojnë, po ta them prerë dhe shkurt: Vendi yt pas zgjedhjeve të reja është në burg, atje ku shkon çdo individ që me dashje kryen një krim kundër vendit dhe qytetarëve të tij”.

Kryeministri e quajti te nxituar këtë deklaratë dhe e ftoi serish të ulen për të reflektuar ndryshimet.

“Reagimi yt ndaj ftesës sime për të vijuar punën bashkarish dhe reflektuar në ligjin zgjedhor risitë kushtetuese është shumë i nxituar! Kërcënimet për konflikt e për fatura kostosh personale tregojnë humbje të busullës! Në emër të shqiptarëve vendos Parlamenti.

5 qershorin aty e ke, top në Ligjin Zgjedhor,ku tani duhet të integrojmë edhe 30 korrikun!Ta bëjmë së bashku e mos harro, s’presim dot gjatë!”

Në replika u përfshi edhe presidenti, po ashtu me një gjuhë të ashpër për mazhorancën e disa ndërkombëtarë, dhe duke deklaruar se nuk i njeh ndryshimet.

Retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane. Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti. Edi Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike. Ne shqiptarët do t’i përgjigjemi shqiptarisht deri në fund!”

Meëes, Rama i tha se është ai që po ndez konfliktet duke përdorur politikisht zyrën e presidentit e duke e paralajmëruar se nuk mund t’i pengoje ndryshimet.

“Ilir, ti je një shkelës recidiv i Kushtetutës sipas Venecias, por siç nuk i ndalove dot zgjedhjet vendore dhe siç nuk e fute dot në zjarr Shqipërinë dje, nuk ke asnjë shans ta ndalosh Kushtetutën e Shqipërisë të jetë detyruese edhe për ty, ashtu sikundër s’ke asnjë shans të ndezësh zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit me shtetin! Prandaj boll u bëre dhe na bëre të gjithëve qesharakë si shtet, duke e përdorur zyrën e Presidentit si llogore lufte politike, duke sharë ambasadorët siç bënte Haxhi Qamili e duke i folur vetes në vetë të tretë si Luigji XIV! Boll se s’të ka askush asnjë borxh, jo më Shqipëria!”

Mazhoranca dhe opozita parlamentare nga njëra anë dhe presidenca dhe opozita jashtë parlamentit kanë qenë në këto pozicione që kur nisën procedurat parlamentare për ndryshimet kushtetuese, po nuk kanë replikuar më parë me tone të tilla të ashpra.

Tv Klan




Të ngjashme