Partia Demokratike nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë, Elbasan, Berat dhe në mjaft komuna të vendit. Këtë e ka deklaruar sot Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode. Disa qytete janë përcaktuar dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ku u bë një analizë e hollësishme e dokumentacionit që sipas Partisë Demokratike tregon manipulimin.

Po në mbledhjen e djeshme, Partia Demokratike ka vendosur të marrë pjesë në balotazh vetëm nëse shtyhet afati i përcaktuar dhe ndyshojnë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. I pyetur se cili është afati i shtyrjes që kërkon Partia Demokratike dhe formula që jep ajo për ndryshimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Bode tha:

“Kush do të jetë afati që do të ishte optimal për shtyrjen e zgjedhjeve? Këtë e përcakton më saktë qeveria e cila është ajo që duhet të plotësojë ato parregullsi që janë vërejtur në raudin e parë të zgjedhjeve. Ne kërkojmë që të garantohet një Komision Qendror Zgjedhjesh i cili të jetë i balancuar nga forcat politike, ose i paanshëm. Ne nuk shpresojmë shumë që të realizohet diçka e tillë dhe që do të garantonte pastaj respektimin e barazisë në procesin elektoral të gjithë partive politike dhe në nivele të tjera komisionesh.”/tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego