Një aksion kundër kontrabandës në disa qytete të Kosovës ka shkaktuar tensione në veri të vendit. Kur forcat policore nisën të ushtronin kontrolle në disa farmaci ka pasur një reagim të dhunshëm nga disa qytetarë serbë që nisën të bllokojnë rrugët.

Ndërhyrja e forcave speciale të policisë ka shtuar tensionet ndërsa protestuesit hodhën kapsolla në drejtim të forcave të policisë. Një makinë me targa të Kosovës u përfshi nga flakët. Policia hodhi gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve për t’i shpërndarë.

Disa persona u arrestuan ndërsa pas përfundimit të operacionit, policia u largua. Por tensionet vijuan. Qytetarët bllokuan sërish me kamionë rrugën që lidh veriun me jugun e Mitrovicës.

Sërish u hodhën kapsolla ndërsa u goditën edhe gazetarët. 8 efektivë të policisë janë paraqitur me lëndime në spital.

“Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti. Ky operacion është i drejtuar kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra në mënyrë ilegale në Kosovë”, tha ministri i Brendshëm Xhelal Zvelça.

Gjatë pasdites situata ishte më e qetë pasi policia dhe protestuesit u tërhoqën. Këto tensione në veri të vendit vijnë vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë që do të mbahen në 17 Tetor.

Tv Klan