Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Mal të Zi e ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të së dielës në Komunën e Tuzit, e cila për herë të parë u fitua nga shqiptarët, që u bashkuan në një koalicion të vetëm.

Megjithatë, me kërkesë të Partisë Demokrate të Socialistëve të Malit të Zi që është në pushtet, ky komision ka pranuar gjithashtu që të gjitha votat e 3 Marsit të rinumërohen.

Social-Demokratët që kanë marrë 10 këshilltarë në këto zgjedhje, përballë 16 keshilltarëve të koalicionit shqiptar, pretendojnë për parregullsi dhe shpresojnë të marrin këshilltarin e 11-të.

Deri në këto momente është numëruar gjysma e votave dhe nuk janë konstatuar parregullsi, përveç dy votave që ka marrë më shumë koalicioni i partive shqiptare.

Ky proces i rinumërimit nuk ka cënuar euforinë e shqiptarëve të cilët tashmë festojnë udhëheqjen e komunës së plotë të Tuzit pas ndarjes së saj nga Podgorica.

Shpresa e shqiptarëve të Tuzit është se kjo fitore do t’u sjellë një udhëheqje më të mirë që do fokusohet te nevojat reale që ka ky komunitet. Me rezultatin historik të së dielës, 16 këshilltarët shqiptarë përbëjnë shumicën në kuvendin komunal dhe do të mund të zgjedhin kryetarin e ri.

Një rol të rëndësishëm në këto zgjedhje luajti edhe diaspora, e cila mbështeti bashkimin e shqiptarëve që ndodh për herë të parë në një palë zgjedhje në Mal të Zi, një bashkim ky që solli fitoren e tyre dhe një fitore që ka rritur shpresën se shqiptarët e Tuzit do të vazhdojnë të punojnë së bashku për zhvillimin e komunës së tyre.

Tv Klan