Këtë të hënë, pas 1 muaj pushimesh parlamenti nisi punën. Ishte kryetari Gramoz Ruçi, i cili nisi sesionin e VI të legjislaturës së XI parlamentare. Por ndryshe nga ai i kaluari, ky sesion erdhi me një risi për deputetët e Kuvendit.

Secili prej tyre do të jetë i pajisur me një ekran dixhital, ku do të miratojnë ose jo ligjet. Përveç kësaj, kreu i Kuvendit tha se sistemi i ri i IT-së dhe votimit do të shërbejë për deputetët që të kenë akses në të gjitha dokumentacionet parlamentare.

“Siç e shikoni sesioni i ri ka një risi në ndikimin e drejtpërdrejtë në rritjen e transparencës së punës së Kuvendit. Sistemi i ri i IT-së dhe votimit që do të fillojë të zbatojë nëpërmjet ekranit dixhital që e ka secili deputet në tavolinë afron mundësi të mëdha që deputetët të njihen online me të gjithë dokumentacionin parlamentar që do të shqyrtohet dhe miratohet në çdo seancë plenare. Sistemi i ri i votimit mundëson integrimin  e  platformës të këtij parlamenti duke rritur aksesin e deputetëve në informacion”, tha Ruçi.

Sipas Ruçit, sistemi është investimi i parë i Kuvendit dhe do të shërbejë për krijimin e sistemit të integruar të legjislacionit./tvklan.al