Autoritet italiane po mendojnë kufizimin e numrit të turistëve në shatërvanin e famshëm të Trevit në Romë, një nga monumentet më të vizituara në Itali.
Sipas planit , vizitat në shatërvan do të bëhen me një rezervim paraprak, me kohë fikse dhe një numër të kufizuar njerëzish që do të lejohen ta vizitojnë.
“Për vendasit ne po mendojmë ta bëjmë hyrjen falas, ndërsa për ata jo rezidentë do t’u kërkohet të japin një kontribut simbolik, një ose dy euro “, tha këshilltari i turizmit ne Romë Alessandro Onorato për gazetën Il Messaggero të enjten.
Vetë turistët e huaj nuk e mirëpritën këtë vendim, i cili ende nuk dihet se kur do të jetë i zbatueshëm.
Stephanie, turiste amerikane: Mendoj se të gjithë duhet të kenë mundësinë të shohin këtë shatërvan dhe të mos paguajnë por nga ana tjetër edhe duhen fonde për të siguruar mirëmbajtjen.
Amanda, turiste amerikane: Vizitorët hedhin lekë aty çdo ditë dhe bëjnë miliona nga ky shatërvan kështu që më duket e pakuptimtë ideja.
Shatërvani i Trevit, ku tradita dikton që vizitorët të hedhin një monedhë me idenë se do tu plotësohen dëshirat e tyre, ka qenë prej kohësh një atraksion i madh, madje edhe për liderët botërorë.
Ky shatërvan mbahet mend gjithashtu për një nga skenat më të famshme të kinemasë, kur në filmin “La Dolce Vita” të Federico Fellini-t, Anita Ekberg hyn në shatërvan dhe i bën me shenjë shokut të saj Marcello Mastroianni që t’i bashkohet.
Klan News