“Do ishte kënaqësi të luaja në Spanjë”

Mesfushori i Kombëtares Shqiptare Odise Roshi, është optimist për të ardhmen e përfaqësueses nën drejtimin e trajnerit Edi Reja. Për futbollistin, merita e trajnerit është rikthimi i frymës së grupit.

“Trajner me eksperiencë. Ka vlera të mëdha dhe ka krijuar një grup të mirë. Kam bërë ndeshje të mira me sistemin e trajnerit, por do mundohemi të bëjmë edhe më mirë”.

Odise Roshi është mesfushor i krahut të djathtë, por për shkak të cilësive të tij, ai është ndoshta lojtari i vetëm i kombëtares që përdoret në çdo pozicion të mundshëm. Ndoshta edhe ndryshimi i pozicioneve ka bërë që trajneri të jetë disi kritik me futbollistin, për mungesë përqëndrimi herë pas here.

“Besoj se e thotë me shaka, pasi ai i di më shumë vlerat e mia. Ai e thotë të ulë kokën dhe të punoj. Çdo lojtar ka defekte, askush nuk është 100% në formën më të mirë”.

Së fundmi ka zëra se klube nga La Liga në Spanjë janë duke parë futbollistin shqiptar.

“Është një kënaqësi e madhe, pasi La Liga është një nga kampionatet më të mëdha. Do të ishte kënaqësi të shkoja aty. Për momentin jam në ekipin tim, po jap maksimumin. Kur gjërat të jenë zyrtare do flasim, tani nuk janë”.

Odise Roshi është pjesë e Akhmat Grozni në kampionatin rus të futbollit. Lojtari do t’i drejtohet Antalias për të vijuar fazën përgatitore me ekipin e tij.

Tv Klan