Rreth 1200 efektivë policie do të jenë të angazhuar në terren për protestën e thirrur nga opozita pasditen e së hënës. Mësohet se krahas strukturave të rendit në Policinë e Tiranës, në gatishmëri do të jenë FNSH, RENEA dhe Garda e Republikës.

Këta të fundit do jenë të pozicionuar në pjesën e brendshme të institucioneve të rëndësisë veçantë që ndodhen në bulevardin Dëshmorët e Kombit, pranë kryeministrisë. Zyrtarisht opozita ka kërkuar leje në polici për 4 orë tubim përpara kryeministrisë.

Por pavarësisht kësaj, protesta pritet të shtrihet edhe në zona të tjera të Tiranës dhe kohëzgjatja është e paqartë.  Për t’i paraprirë çdo skenari të mundshëm, uniformat blu pritet të instalojnë kamera inteligjente në disa prej akseve ku parashikohet të shtrihet protesta.

Gjithashtu në gatishmëri do të jenë edhe autobotë me ujë.  Po në kuadër të masave të ndërmarra, policia ka programuar bllokimin e disa akseve kryesore në kryeqytet, duke nisur nga Ministria e Brendshme deri në sheshin Nënë Tereza dhe degëzimet që lidhen me të.

Kufizime pritet të ketë dhe në segmente të tjera, në varësi të zhvillimit të tubimit. Mbarëvajtja e këtij tubimi, cilësohet me tepër rëndësi për uniformat blu të kryeqytetit, të cilat pasditen e kësaj të diele do të mblidhen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda për të marrë porositë e fundit për protestën e Opozitës.


BLLOKOHET LËVIZJA E AUTOMJETEVE PREJ ORËS 18.00

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Ministria e Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”

Rruga “Ukraina e Lirë”

Rruga “Papa Gjon Pali II”

Rruga “Ismail Qemali”


RRUGËT QË MUND TË KETË KUFIZIM LEVIZJE

Kafe “Europa” – Segmenti “Ushtari i panjohur” deri te 9-katëshet

Shkolla “1 Maji” – kryqëzimi i urës së ATSH-së deri te rruga e Elbasanit

Kryqëzimi i Liceut Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja

Sheshi “Skenderbej”, bashkia Tiranë dhe Pallati i Kulturës

Kryqëzimi i Librit Universitar

Kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla “Sabaudin Gabrani”

Kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe “Ismail Qemali”

Rrethrrotullimi “Zogu i Zi”

Kryqëzimi te ish-stacioni i trenit

Kryqëzimi i urës në ish- bllok

Kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”

Kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”

Kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave

Rruga “Dritan Hoxha”, përpara vendit të quajtur “Kupola”

Kryqëzimi i pallatit me shigjeta


Tv Klan