Jasir Asani ishte sërish protagonist me Gwangju duke shënuar golin e fundit në fitoren 3 – 1 ndaj Seul, e vlefshme për javën e 33 të kampionatit koreano-jugor.

Një kombinim i Asanit me Gabriel Tigrao solli një gol të bukur, ku shqiptari goditi topin i rrethuar nga 3 kundërshtarë, duke treguar se është në formë para grumbullimit me Kombëtaren.

Ky ishte i shtati sezonal për Jasir Asanin me skuadrën e Gwangju, i cili ka lënë shenjë edhe në Champions League Aziatike.

Asani para ndeshjes mori edhe vlerësimin për golin më të bukur të muajit Shtator, një shenjë mbështetje nga tifozët, pasi janë ata të cilët votojnë.

Në formë para ardhjes në Kombëtare për ndeshjet e Tetorit me Çekinë dhe Gjeorgjinë u paraqit edhe Mirlind Daku me golin e realizuar në kampionatin rus.

Rubin Kazan fitoi 2 – 0 me Akhmat Grozny në javën e 11. Gol shënoi edhe mbrojtësi Marash Kumbulla në La Liga ku Espanyol mundi 2 – 1 Mallorca. 

Tv Klan