Rreth 200 pallate të dëmtuara nga tërmeti në Tiranë

Rreth 200 pallate të dëmtuara nga tërmeti në Tiranë

20:53 30/11/2019

Kreu i Emergjencave-qytetarëve: Lini ekspertët të bëjnë punën e tyre

I ftuar në programin “Rudina”, Drejtori i Emergjencave në Bashkinë Tiranë, Erind Bejko u shpreh se pas inpektimeve të kryera deri tani, rreth 200 pallate rezultojnë me dëme të mesme, të lehta apo të rënda. Gjithashtu njësia administrative, së bashku me inxhinierët përcaktuan zonat që kanë problematikat më të mëdha dhe përcaktuan se cilat prej pallateve janë të banueshme dhe cilat jo. Njëkohësisht, Bejko iu bën thirrje qytetarëve të lenë ekspertët të bëjnë punën e tyre.

Sigurisht që situata është e vështirë. Që ditën e parë, Bashkia e Tiranës ka qenë në këmbë duke marrë masat e nevojshme, së pari për ruajtjen e jetës dhe së dyti për sistemimin e situatës. Kemi afro 200 pallate, që deri tani është e konfirmuar që kanë dëme të mesme, të lehta apo të rënda. Ndarja e kësaj historie vijon në këto ditë. Gjithashtu kemi shumë shtëpi në zonat rurale, të cilat kanë marrë goditjen finale dhe që duhet menduar rindërtimi i tyre. Faza e dytë, ajo e strehimit është duke kaluar. Kemi çuar afro 150 çadra në fshatra. Gjithashtu për banorët që janë në qytet qendrat sociale janë të hapura dhe bashkia po komunikon me hotelet, të cilat po hapin dyert për të mirëpritur njerëzit që kanë shtëpitë e pabanueshme. Pasi vijuam me këto procese, procesi i radhës ishte njësia adminitrative me inxhinierë të kontaktuar nga ne, shkuan dhe bënë inspektime në disa zona. Nga këta inxhinierë ne patëm një hartë të qartë, se ku ishin problemet reale. Problemet reale ishin në zonën e Kombinatit ku tani ka filluar zyrtarisht vendosja se kush pallat është i banueshëm dhe kush i pabanueshëm. Dhe gjithashtu në Kinostudio kemi të shpallur të pabanueshëm. Kemi dhe probleme, por pak më të vogla në Laprakë dhe marr edhe tani sinjale, që edhe në njësinë 8 kemi një pallat që ka nevojë për t’u parë nga ekspertët”.

Gjithashtu Bejko u bën edhe një thirrje gjithë qytetarëve: Lini ekspertët të bëjnë punën e tyre. Është e kotë t’i fërshëllesh në vesh një eksperti dhe ta mësosh se çfarë të bëjë ai. Ndihma më e madhe është ku keni njerëz që kanë shtëpitë e tyre të sigurta strehohuni këto ditë. Është shumë mirë të bëhemi bashkë dhe të nxjerrim atë anën humane dhe të lemë institucionet të bëjnë punën e vet./tvklan.al



Grupi

LAJMET

Të ngjashme
Grupi