Diplomacia greke vë në lëvizje SHBA dhe BE

Diplomacia greke është vënë në lëvizje për të ndalur aktivitetin e anijes turke sondë Oruç Reis, e cila po studion nëntokën detare të Mesdheut Lindor.

Me kërkesë të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias do të zhvillohet të premten një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian, e thirrur nga kryediplomati Joseph Borrell.

Dendias do të marrë pjesë në mbledhje përmes lidhjes online nga Vjena, ku pritet të takohet në të njejtën ditë edhe me kryediplomatin amerikan Mike Pompeo, i cili këtë javë po zhvillon një tur europian.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu tha të martën se në përfundim të misionit eksplorues të anijes sondë turke Oruç Reis, në fund të këtij muaji autoritetet turke do të japin lejet e para për shpimin dhe nxjerrjen e gazit nga zona ekskluzive ekonomike turke në Mesdheun Lindor.

Por Turqia dhe Greqia ende nuk kanë një marrëveshje për përcaktimin e kufijve të zonave ekskluzive ekonomike në këtë det. Greqia pretenton se kërkimet turke kryhen në zonën ekskluzive ekonomike greke, ndërsa Tuqia e pretendon të sajën të njëjtën zonë.

Në këtë hartë, vija e kuqe tregon kufirin e zonës së pretenduar nga Turqia, ndërsa bluja atë greke. Turqia arriti një marrëveshje me Libinë, ndërsa Greqia me Egjiptin, kufijtë e të cilave nuk përputhen aspak me njëra-tjetrën.

Këto mosmarrëveshje rrezikojnë të përshkallëzohen në një konflikt të paprecedentë ushtarak mes dy anëtarëve të NATO-s.

Tv Klan