Problemin e punësimit tek të rinjtë, ekspertët e ekonomisë e shohin të lidhur ngushtë me dy çështje kryesore: atë ekonomike dhe atë arsimore. Për profesorin e ekonomisë Ardian Civicin, pyetja kryesore që shtrohet në ditët e sotme lidhet me vlerën që ka një diplomë në treg dhe se sa mundet që dijet që studenti merr në universitet ta bëjnë të aftë për tregun e punës.

Një tjetër aspekt po kaq i rëndësishëm lidhet edhe me strukturën e ekonomisë tonë dhe se ku po drejtohet ajo: në hapjen e vendeve të punës të një profili të lartë, apo në ofrimin e punëve që nuk përshtaten me cilësinë e njohurive.

Profesor Civici thotë se gjatë dekadës së fundit Shqipëria ka prodhuar rritje ekonomike, por jo në të njëjtin nivel kjo rritje është shpërndarë në hapjen e vendeve të reja të punës, ndërsa shumica e punëve për të rinjtë orientohen në sektorin e shërbimeve, si “call center” dhe bar-kafe.

Sipas INSTAT, 60% e të rinjve në Shqipëri nuk janë të punësuar, ndërsa në pjesën e fundit të vitit numri i të papunëve në këtë grup u rrit me 5647. Në anketën e realizuar nga Instituti i Statistikave, 22 mijë të rinj janë shprehur të dekurajuar se mund të arrijnë të gjejnë një vend pune.

Tv Klan