Një person i paidentifikuar ua dorëzoi veteranëve të UÇK-së

Rreth 4000 dosje me emrat e dëshmitarëve të mbrojtur të Gjykatës Speciale, një person i paidentifikuar i kishte lënë para më shumë se një jave zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

I njëjti person në një letër që ia ka bashkangjitur dosjeve kishte shkruar se ditët në vazhdim do të sjellë dosje shtesë.

Kjo edhe ndodhi. Një person ende i paidentifikuar ka sjellë sërish dosje të reja të mërkurën në këtë organizatë.

Në dosje janë emrat dhe adresat e dëshmitarëve dhe personave të tjerë edhe nga Serbia, me të cilët kanë bashkëpunuar hetuesit e Gjykatës Speciale.

Në zyrat e OVL të UÇK-së gjatë ditës kanë qëndruar hetues të Gjykatës Speciale, të cilët kanë marrë me vete dosjet.

Kryetari i veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati thotë se është vërtetuar se këto dokumente janë të Gjykatës Speciale.

Sjellja e mistershme e këtyre dokumenteve dhe mënyra se si u prezantuan këto dokumente nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka zgjuar reagimin e organizatave që merren me të drejtat e njeriut, sipas të cilëve qëllimi kryesor është frikësimi i dëshmitarëve.

Ndërsa nga ekspertë të sigurisë po shihet edhe si tendencë për të kompromentuar në tërësi punën e Gjykatës Speciale.

Tv Klan