2 viktima nga moti i keq në Itali

Jugu i Italisë vijon të mbetet i paralizuar nga moti i keq që ka përfshirë rajonin. Si pasojë e situatës së krijuar është shënuar dhe një viktimë e dytë. Të hënën në  komunën e Scordias në Sicili një 67-vjeçar humbi jetën ndërsa gruaja e tij vijon të jetë e zhdukur.

Reshjet e dendura të shiut i kanë shndërruar sheshet dhe rrugët e Katanias në liqene. Uji ka përmbytur të gjithë qytetin dhe makinat janë zhytur në ujë.

Nën pushtetin e ujit është tanimë e gjithë qendra e Katanias përfshirë qendrën Piazza Duomo, via Etnea dhe tregu historik të  Pescherias.

Kryetari i bashkisë së Katanias, Salvo Pogliese paralajmëroi qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe njoftoi se shkollat do të vijojnë të jenë të mbyllura. Vetëm në dy ditë në zonën e Catanias  ka rënë 265 mm shi, që do të thotë një e treta e reshjeve totale në një vit.

Klan News