Rudina – Emisioni 16 Qershor 2021




Rudina – Emisioni 16 Qershor 2021

18:36 16/06/2021

“Legjenda e vendit t`shenjt”/ Nje film vizatimor per legjenden e Kishes se Laçit.

Në pjesën e dytë të “Rudina” nga Rudina Magjistari në “Tv Klan” ishin të ftuar regjisorja dhe skenaristja Eliona Thomaraj dhe piktor animatori Bledar Gërcaliu për të folur mbi një ngjarje të veçantë artistike.

Kisha e Shën Ndout në Laç është një nga vendet e shenjta që mbledh mijëra besimtarë, sidomos gjatë periudhës së pelegrinazhit. Mbrëmjen e 12 Qershorit, në këtë objekt të shenjtë fetar u shfaq premiera e filmit vizatimor “Legjenda e vendit t’shejt” që flet pikërisht për legjendën e kësaj kishe.

Regjisorja Eliona Thomaraj rrëfen hapur çfarë ndodhi në ditën e premierës së filmit.

Rudina Magjistari: Filmi duket shumë interesant, por më tregoni pak shijen e parë nga ajo ditë e shenjtë e 12 Qershorit , si ishte për ju, aq më tepër që prezantonit edhe punën tuaj?

Eliona Thomaraj:E para, ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Jemi mësuar të flasim përpara spektatorit në teatër, por prapë, numër i kufizuar, ti e di paraprakisht, nxjerr kokën, kurse njerëz pafund në jetën time nuk kisha parë. Vinin dhe vinin dhe vinin, kishim përgjegjësinë që “a do shihet, a do dëgjohet?”, por fonia ishte e mrekullueshme, ata e përdorin për meshat e tyre dhe ata që nuk arrnin ta shihnin, e ndiqnin si një radiofilm.

Bledar Gërcaliu: Po, ishte sistemi i zërit i shpërndarë në të gjithë territorin dhe vinte nga të katër anët.

Eliona Thomaraj: Muzika dhe teksti i filmit dëgjoheshin deri në kodrat përreth.

Pas shfaqjes së premierës, filmi do të jetë pjesë edhe e festivaleve të ndryshme për të patur debutimin e tij.

Realizimi ka marrë rreth dy vite e gjysmë për shkak të pandemisë dhe ndryshimit të teknologjisë, pasi Elionës dhe Bledarit iu desh të përshtateshin me teknikat e reja dixhitale. Ata kanë arritur ta përshtasin në teknologjinë 3D dhe kanë imituar format e relievit real për t’i përdorur në film duke e bërë atë edhe më autentik.

Rudina Magjistari: Ku mund ta gjejnë të gjithë ata që duan ta shohin këtë film?

Eliona Thomaraj: Në datën 22 Shtator do të jemi pjesëmarrës në TIFF-Tirana International Film Festival dhe shpresojmë që shqiptarët ta shohin në kinema, në kushte të rregullta. Më pas, mendojmë të përfaqësojmë Shqipërinë denjësisht në festivale të tjera.

Duke qenë se filmi u transmetua për herë të parë në një vend të shenjtë, Eliona tregon se emocionet ishin të forta dhe u prit shumë më mirë nga sa e kishte menduar.

Rudina Magjistari: Si u prit në kishën e Laçit shfaqja e këtij filmit?

Eliona Thomaraj: U prit aq mirë,sa…Unë nuk para them u emocionova, atje më janë dridhur gjunjët. Njerëzit kur në një moment në film thonë priftërinjtë që “do marrim një vendim, do ta ndërtojmë kishën atje ku fluturojnë veglat, ashtu qoftë, në emër të Atit, Birit…”, gjithë populli thoshte “Amin” dhe bënte kryqin. Përgjegjësi për ç’po thua dhe ç’po bën. Na shihnin dhe më pas thoshin “respekte”. Nuk kishte vend, edhe atë karrigen e parë mezi e zumë që të vinim videoprojektorin.

Të pranishëm në këtë event ishin të pranishëm përfaqësues të ambasadës së Vatikanit dhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim. /tvklan.al

Ekskluzive: “Loco”, kenga e fundit e Ergi Dinit.

Para disa vitesh, fituesi i “X Factor Albania 3”, Ergi Dini, humbi jetën në një aksident tragjik në moshën 22-vjeçare. Një talent i spikatur për zërin e tij që padyshim do të kishte patur sukses të madh, por që ka lënë pas gjurmët e krijimtarisë së tij.

Në demot e tij muzikore gjenden 7 këngë të kompozuara dhe kënduara nga Ergi, të cilat motra e tij Barbana Dini dhe i ati, Dashamir Dini, po kujdesen që t’i publikojnë si një amanet të fundit të tij.

Para dy vitesh, ata publikuan këngën “Ku je” në ditëlindjen e Ergit, ndërsa sot, babai i tij prezantoi një tjetër nga këngët e papublikuara të regjistruar në Shtator të vitit 2016, dy muaj përpara se Ergi të ndahej nga jeta.

Rudina Magjistari: Duket sikur na e risjell kënga Ergin sërish mes nesh.

Dashamir Dini: Po, faktikisht për ne është një event ngushëllues. Është një këngë që ne e gjetëm vonë, ajo është prodhuar në 2016, nga Shtatori, kur përgatitej ndërkohë ai deshi të kapte verën, se është këngë verore, tip diskoje, është një këngë shpërthyese. Tendenca e Ergit ishte gjithnjë të eksperimentonte gjëra të reja, të ikte nga ritmi i drejtë. Ai ka aplikuar këtu një ndërthurje mes kantos dhe repit, mes ritmit dhe kundër ritmit, është një këngë interesante. Kulti është dashuria, sigurisht, ka dhe një ekstazë rinore brenda saj. Siç thotë edhe ai, “dashuria që të dhuron një femër është si një festë e bukur, e gëzueshme”.

Rudina Magjistari: Ai e kishte regjistruar dhe e kishte në studio?

Dashamir Dini: Si zë e kishte hedhur, e kishte mbyllur. E kishte edhe një këngë ekuivalente me këtë bazë muzikore, me këtë ritëm që e kishte trajtuar si baladë. Është shumë e bukur edhe ajo, por nuk e mbylli sepse nuk kishte vokalet mbështetëse, megjithatë ne do ta lançojmë për kuriozitetin.

Rudina Magjistari: Mund të sillet edhe ajo, pra ka mundësi?

Dashamir Dini: Po, sillet se është shumë romantike, është e kundërta e kësaj, po e njëjta, e glorifikuar le të themi, por këtu janë hallet e dashurisë në pjesën e dytë. “Killed” titullohet kënga e dytë, është një baladë shumë e bukur, edhe aty ka rep, por edhe këndim. Them se të dyja provojnë aftësinë dhe talentin e tij me të njëjtën bazë muzikore, me të njëjtin ritëm.

Rudina Magjistari: Ju e keni shoqëruar edhe me videoklip këngën. Si e përgatitët videoklipin?

Dashamir Dini: Këto na kanë penguar në fakt. Jemi përpjekur që në mungesë të Ergit ta sjellim me animacion, nuk ishte asnjëri i specializuar në atë mënyrë. Kemi kërkuar variante të ndryshme, por një mik imi shumë i talentuar, mori nga “X Factor” dhe u përpoq të sinkronizonte e adaptonte sa të mundej që kënga të vishej e të përçonte një lloj emocioni me pamjet e Ergit. /tvklan.al





Të ngjashme