#Rudina, një program nga autorja dhe moderatorja #RudinaMagjistari, një prej emisioneve më të ndjekur dhe të dashur për publikun duke ofruar tema të larmishme për të gjithë familjen

Të ftuarit: Zhani Ciko, Rudina Ciko, Alban Rabo, Meri Shehu, Besiana Mehmedi, Erion Todhe

U njohën në lice, ai pedagog ndërsa ajo studente/Zhani dhe Rudina Ciko, historia 40-vjeçare

Deklarata e rrallë e dashurisë: Do lija karrierën për Shkodranin…

Nëse mes një çifti artistësh ka garë, atëherë marrëdhënia mes tyre nuk mund të funksionojë. Kështu mendon Besiana Mehmedi, mezzo-sopranoja nga Maqedonia e Veriut, e martuar prej vitesh me tenorin Shkodran Tolaj.

Në një lidhje në Skype me emisionin “Rudina”, Besiana Mehmedi tregoi më shumë rreth marrëdhënies së tyre ndërsa tha se nëse një ditë, njëri prej tyre do të duhej të hiqte dorë nga karriera, ajo do ta bënte këtë pa asnjë hezitim.

Rudina Magjistari: Sa vite keni bashkë?

Besiana Mehmedi: Më duket shumë gjatë dhe shumë shkurt njëkohësisht. Gjatë sepse kur kthehem pas dhe mendoj sa kemi udhëtuar, sa kemi koncertuar bashkë, sa festivale kemi marrë pjesë, vërtetë më duken shumë vite. Pastaj në atë konsideratën që kemi ushqyer për njëri-tjetrin… po ndiqja pyetjen tuaj më herët, a ka garë në profesionin mes artistëve? Nëse ka garë nuk mund të funksionojë një çift artistësh. Ne vijmë nga fusha e njëjtë, pavarësisht që unë me kalimin e kohës jam specializuar edhe në muzikologji dhe jap edhe Historinë e Muzikës në universitet, njihemi të dy si këngëtarë. Nëse nuk do të ishte kënaqësia që unë ndjej kur Shkodrani ka sukses në skenë dhe nëse nuk do ta ndjeja si sukses timin, ne nuk do të mund të funksiononim si çift. E njëjta gjë ndodh edhe në anën tjetër dhe çdoherë i kam thënë edhe të tjerëve. Nëse duhet njëri të tërhiqet nga karriera dhe tjetri të vazhdojë, unë pa asnjë hezitim do të thoja të vazhdojë Shkodrani, sepse besoj në kapacitetin dhe kualitetin e tij. Është një zë që rrallë gjendet dhe puna që po bën 3 vitet e fundit në Ansamblin Shtetëror si drejtues, vërtetë e forcon këtë bindje jo vetëm tek unë, por tek të gjithë ata që kanë patur besim profesional tek Shkodrani.

Deep yoga/ Çfarë është ezoterizmi dhe 7 çakrat

Poloni-Shqipëri/ Gazetari Erion Todhe përcjellë atmosferën nga Varshava

Si do jetë kjo javë? Meri Shehu zbulon parashikimin e yjeve

Java e fundit e Marsit vjen me një rreshtim  planetësh që do të funksionojë si një matës force për shenjat e zodiakut. Astrologia Meri Shehu, e ftuar në “Rudina” në Tv Klan për të parashikuar se çfarë thonë yjet për javën, ka lajme të mira për shenjat.

Meri Shehu: Kjo është një javë që kemi një rreshtim planetësh, një stelium dhe shumë planetë janë në shenjën e Dashit. Takohen dhe me dy planetë, me Afërditën dhe Uranin në Dem dhe Marsi që është futur në Gaforre. Nuk është se ndodh gjë, por një rreshtim planetësh mbart një forcë më shumë nga njëra anë, nga ana e Dashëve dhe Demëve dhe përballet andej me Bricjapët, Ujorit e Peshqit. Kemi lajme të mira sepse nesër data 28, Mërkuri takohet me Jupiterin në Dash, një takim shumë i këndshëm.

Dashi – 3 yje

Nesër Dashi ka informacione,vendime të zgjuara, lëvizje interesante, fat në marrëveshjet ekonomike e tregtare, fat në energji. Do çlirojë diçka nga vetja që nuk ia njihte, që mund të jetë një ide e re, bashkëpunim apo mundësi e re. Kujdes nga Marsi në Gaforre sepse nuk i bën mirë Dashëve, Peshoreve e Bricjapëve në përgjithësi sepse shenjat kardinale marrin një lloj tronditjeje nga Marsi në Gaforre.

Demi – 2 yje

Këtë javë marrëveshjet në Dash janë prapaskena për Demin, për Dashët janë iniciativa e mundësi. Gjithë ky stelium të rrijë në një shtëpi të fshehtë siç është Dashi për Demin tregon që nuk shprehen dot.  Afërdita në Dem takohet me Uranin, surpriza të mëdha në jetën erotike, shpeshherë mund të jenë të këndshme por edhe të papritura jo shumë të këndshme, ndarje ose rrëshqitje nga baza.

Binjakët – 1 yll

Satruni në Peshk tashmë po jep lëkundjet e mëdha në lidhje me karrierën, pavendosmëritë e tyre, por Marsi në Gaforre dhe takimi me Saturnin mund t’iu japë një avantazh këto ditët e para të javës që mund të bëjë një marrëveshje të mirë dhe të kthjellohen.

Gaforrja – 3 yje

Marsi është në shenjën e tyre, planeti i luftës kurse Gaforrja udhëhiqet nga Hëna, është lunatike, e ndjeshme. Duhet të kenë kujdes në mënyrën si komunikojnë, vendimet si i marrin, si planifikojnë dhe nervozizmin. Do dalin më luftarake se sa duhet në këtë kohë. E rëndësishme është që takohet Marsi me Saturnin dhe i jep një lajm ligjor të mirë dhe mundësi për të kontaktuar, udhëtuar dhe pse jo, dashuruar.

Luani – 4 yje

Afërdita takohet me Uranin në Dem dhe për Luanët do të thotë një kthesë e mirë në lidhje me karrierën dhe një dashurie të papritur me shikim të parë. Luanët që janë një shenjë e dashurisë, nuk do t’i thonë jo një ngjarje apo evenimenti që për të tjerët mund të quhet një pakujdesi apo të luash me fatin.

Virgjëresha – 4 yje

Gjithë takimet që bëhen në Dash për çështje ekonomike nesër janë shumë të mira. Kujdes nga kontaktet dhe bashkëpunimet me Demët sepse mund të kemi një rrëshqitje të vogël.

Peshorja – 4 yje

Të kenë  kujdes nga Marsi në Gaforre që tenton të prishë disi ekulibrat familjarë dhe të karrierës e t’i përballë me një epror të vështirë, por gjithsesi nesër bëhet një bashkëpunim i mirë ose do të jepet dora për një martesë apo marrëveshje shumë të rëndësishme në jetën e tyre.

Akrepi – 5 yje

Përballë shenjës së tyre ndodhet Afërdita me Uranin që bën një kthesë të rëndësishme në jetën në partneritet, në martesë. Kemi martesa, lidhje, dashuri të reja, bashkëpunime shumë të fuqishme dhe  punë, do kenë projekte dhe oferta të mira.

Shigjetari – 4 yje

Kanë një ndryshim të mirë në lidhje me punën. Do vlerësohen ekonomikisht ose do ndjehen të dashuruar me punën e tyre dhe përditshmëria do marrë një freskim, një ajër të mirë, një humor të këndshëm, por edhe me shëndetin do ndjehen që gjërat po shkojnë mirë. Do kenë edhe një takim shumë romantik në dashuri nesër.

Bricjapi – 2 yje

Marsi përballë shenjës së tyre në Gaforre bëhet shumë antagonist dhe një projekt ose problematikë familjare do t’i nxjerrë nga qetësia e tyre. Mund të kenë nervozizëm në familje dhe në karrierë, me eprorët të kenë kujdes ose të mos nxitojnë shumë me makina apo veprimet e tyre. Të ruajnë qetësinë sepse janë momente nervozuese për Bricjapët.

Ujori – 4 yje

Planeti i tyre, Urani takohet me Afërditën dhe është një takim fatlum që sjell dashuri, para, fat, qetësi,  bukuri, harmoni dhe çdo gjë që mund të ndodhë gjithnjë për mirë. Afërdita gjithnjë është joshëse dhe e bukur.

Peshqit – 3 yje

Do bëjnë një hapje shumë të mirë ekonomike nesër, shumë të zgjuar. Sa më të zgjuar të jenë, mund të  bëjnë një marrëveshje shumë të mirë ekonomike. Saturni në Peshk bën një lidhje shumë të bukur me Marsin në Gaforre dhe Peshqit do favorizohen erotikisht nesër. Kujdes nga lidhjet e shkuara që mund të tronditen në dashuri./tvklan.al