Të ftuar:

Orgesa Zaimin – Këngëtare

E ftuar sot në programin “Rudina” ishte këngëtarja e mirënjohur Orgesa Zaimi. “Ngrije zërin” është titulli i këngës i shoqëruar tashmë me një videoklip, të cilën këngëtarja e konsideron një himn proteste dhe qëndrese ndaj padrejtësive.

Përveç aktivitetit të saj artistik, ajo foli edhe për jetën e saj private dhe familjen e saj. E pyetur nga moderatorja Rudina Magjistari se si është Orgesa si mama, ajo u shpreh:

“Unë i kam mësuar me orare qëkur kanë qenë të vegjël, ato flenë në 9. Mund të bëjmë një shkelje deri në 10 kur është ndonjë film, apo diçka që iu intereson. Im shoq ma ka lënë mua këtë pjesën e ‘polici i keq, polici i mirë’. Ai është gjithë kohën polici i mirë dhe më takon mua ta vë rregullin. Por për fëmijët jam shumë e bekuar kam dy fëmijë shumë të dashur dhe ekspresivë”.

Magjistari vijoi më tej duke e pyetur nëse kishte ndërmend të bënte një fëmijë të tretë.

“Nuk e di, nuk mund të themi asnjëherë jo. Më pëlqen kur të shkoj 40 vjeç. Kur të arrij këtë moshë do ta mendoj të bëj një fëmijë të tretë”, tha Orgesa.

Stafi i “Rudina” i kishte përgatitur asaj një surprizë, një video ku djali Kroni dhe vajza Bora këndonin këngën e mamasë së tyre, gjë që e emocionoi shumë këngëtaren.

Anila Heto – Piktore / Interior Designer

Dr. Ardian Jorgji – Mjek pneumolog / Spitali Amerikan 3

Temperaturat gjatë periudhës së verës e rrisin edhe më shumë ekspozimin tonë në diell, por qëndrimi i gjatë mund të sjellë pasoja të shumta për shëndetin.

Një kujdes të veçantë duhet të tregojnë personat që vuajnë nga astma bronkiale, e cila është një sëmundje kronike serioze. Edhe në Shqipëri ka shumë persona që janë diagnostikuar me këtë sëmundje. Astma është ndër çrregullimet e shumta dhe të shpeshta që shfaqen në rrugët e frymëmarrjes. Sëmundja mund të prekë të gjithë grupmoshat, por më dominuese është tek të rriturit, ndërsa forma alergjike është më e hasur te fëmijët.

Në emisioni e pasdites “Rudina” në Tv Klan ishte i ftuar mjeku pneumolog Ardian Jorgji, i cili dha këshillat e tij prej eksperti në lidhje me kujdesin që duhet të tregojmë gjatë verës.

“Për fat të keq sot astma po e shton gjithnjë e më tepër frekuencën dhe mund të thuhet që është mbase e vetmja sëmundje në botë, që po shtohet nga viti në vit. Astmën kush e njeh si sëmundje e ka frikë, nuk duhet të neglizhohet, është një sëmundje serioze me pasoja serioze. Në qoftë se është i pranishëm duhet kujdesi i vazhdueshëm, aktiviteti fizik, larg cigares dhe kujdesi në ambientet që na rrethon atëherë mund t’ia dalësh për bukuri”.

Si shkaktarë të sëmundjes dhe faktorë që ndikojnë gjatë verës doktori përmend temperaturat e larta, ndotjet e ambientit, fenomenet alergjikë që ndikojnë jashtëzakonisht shumë, pastaj futen produktet ushqimore, mënyra jonë e jetesës, stresi, duhanpirja etj.