Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dy ditë para tryezës së partive parlamentare për të diskutuar ndryshimin e sistemit elektoral, pra Kushtetutës, kryetari i PD Sali Berisha, iniciatori i kësaj tryeze është takuar me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë Osmo Liponen, monitorues i reformës zgjedhore në Shqipëri. Pas një bisede që zgjati më shumë se një orë ambasadori Liponën, nuk dha ndonjë qëndrim të prerë, nëse Kushtetuta duhet të ndryshohet, por sugjeroi arritjen e konsensusit për reformës zgjedhore.

Osmo Liponen:- “Puna në komisioni dypalësh po përparon dhe ne të dy shprehëm besimin se procesi do të përfundojë me konsensus. Megjithëse mbeten ende disa çështje të pazgjidhura, ne të gjithë kemi qëllim të arrijmë rezultate pozitive”.

Ndërsa lideri i opozitës shpreson, se mazhoranca do të respektojë dhe zbatojë, angazhimin e marrë për reformën zgjedhore, duke iu referuar edhe detyrimit të Shqipërisë ndaj kodit të Venecias.

Sali Berisha:- “Bazuar në kodin e Venecias, mund t’u jepet përgjigja të gjitha problemeve të mëdha të reformës elektorale, ndërtimit të komisioneve elektorale, shqyrtimit të ankesave gjetjen e sistemit më të përshtatshëm”.

Ndërsa i pyetur për përgjigjen negative të socialistëve për tryezën e së premtes. Berisha ka bërë përgjegjës kryeministrin Nano.

Sali Berisha:- “Fatos Nano dëshmon se është kundër dialogut, në qoftë se ai ka deklaruar këtë, ai iu thotë shqiptarëve, që njeriu që ka qenë gjithnjë kundër dialogut kthehet në pozicionin e tij anti-dialog. Ky është i gjithë problemi, sepse të vijë dhe të mbrojë pikëpamjet e tij në takim, ku si imponon kërkush është një detyrim elementar, por ai ka qenë gjithnjë kundër dialogut. AI është ulur në dialog, vetëm atëherë kur e ka parë veten, se nuk ka më asnjë shans”.

Në takimin me ambasadorin e OSBE-së, si dhe me atë të danez, zoti Berisha ka vënë në qendër të bisedimeve dhe përpjekjet e opozitës, për të ndërprerë ato që i quan, lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço