“Çfarë propozova në diskutimet me liderët e Ballkanit”

Në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt sot në Tiranë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se nismat rajonale ngecin për shkak të Serbisë që nuk njeh pavarësinë e Kosovës.

Në një prononcim për gazetarët pas takimit, Albin Kurti u shpreh se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të ndihmonte edhe në bashkëpunimin më të madh mes vendeve të tjera.

“Përveç se në këtë takim në Tiranë m’u desh të shkëputem njëçik meqënëse isha edhe në një konferencë tjetër rajonal në Selanik përmes Zoom, këto ditë janë shtuar nisma të ndryshme që i bëjnë bashkë liderët e Ballkanit për të diskutuar për çështjet e shteteve. Në fjalën time unë fillova duke konstatuar përderisa 6 shtete e Ballkanit Perëndimor janë në Evropë, BE nuk është ende Evropë sepse nuk është e kompletuar. Ndërkohë populli i Kosovës është shteti më proevropian në Europë dhe jemi të vendosur pët t’i zbatuar reformat tona. Potencova që të gjitha këto nisma ngecin për shkak se mungon njohja e Republikës së Kosovë si shteti i pavarur nga Serbia. Njohja nga Serbia do krijonte situatën në të cilën të gjitha vendet do bashkëpunonin më shumë”.

Kryeministri i Kosovës tha se në tryezën e bisedimeve me liderët e Ballkanit Perëndimor, hodhi një ide të re për tregun e përbashkët rajonal, që të ndiqet modeli Lihteshtejn-Norvegji-Islandë.

Nuk mjafton tregu i përbashkët por nevojiten edhe vlerat e BE të vendosen brenda secilit shtet edhe në raportet midis shteteve. Dhashë edhe një propozim si mund të ecim përpara dhe është modeli i marrëveshjes siç është EFTA, që e kanë Lihteshtejni, Norvegjia dhe Islanda që të hyjmë në marrëdhënie të përbashkëta. Propozimi im është që të kalohet nga CEFTA në SEFTA”. /tvklan.al