Samiti i Shkupit, Rama i përgjigjet Kosovës: Boll me “na ftuan nuk na ftuan”


Samiti i Shkupit, Rama i përgjigjet Kosovës: Boll me “na ftuan nuk na ftuan”

13:35 29/07/2021

Pas reagimit të Qeverisë së Kosovës se nuk kishin ftesë zyrtare për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Shkupit për “Minishengenin Ballkanik” apo siç quhet me emrin e ri “Ballkani i Hapur”, është përgjigjur Kryeministri Edi Rama.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin maqedonas Zoran Zaev dhe Presidentin serb Vuçiç, Kryeministri Rama tha se ky “Ballkani i Hapur” nuk është ekskluziv mes Shqipërisë-Serbisë-Maqedonisë së Veriut. Edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina që refuzojnë të marrin pjesë, mund t’i bashkohen forumit në çdo moment.

Në 1 Janar të 2023 do të kemi mes vendeve tona zero pritje në kufi. Të tjerët janë të mirë se ardhur të vijnë dhe të na bashkangjiten. Dhe boll me këtë na ftuan, s’na ftuan. Ishin në Tiranë të 6 vendet për të diuskutuar dhe aty diferenca ishte e qartë, disa duan, disa s’duan. Nuk ka problem. Autostradat, hekurudhat, levizja e lirë e mallrave mbase nuk sjellin demokracinë, por demokraci dhe liri pa këto është shumë e vështirë ta kesh”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.

Në konferencën trepalëshe u tha se u nënshkruan marrëveshje dhe memorandume mes 3 shteteve. Një ndër memorandumet është edhe angazhimi i përbashkët i këtyre shteteve në rastet e fatkeqësive natyrore. E në këtë pikë, Kryeministri Rama mori shembull tërmetin tragjik që goditi Shqipërinë 2 vite më parë.

“Kur në Nëntorin e 2019 në Shqipëri ra tërmeti, ishin forcat e kërkim-shpëtimit nga vendet e rajonit që mbërritën me shpejtësi dhe mes tyre ishin dhe forcat nga Serbia dhe nga Maqedonia e Veriut. Çfarë kuptuam ne në atë moment? Kuptuam se sa e rëndësishme ishte që të mos ndiheshe vetëm dhe sa e vlefshme ishte që në një terren të shkatërruar ku kishte qindra jetë njerëzish nën gërmadha, të kishe më shumë forca. Dhe sot faktikisht kemi firmosur një marrëvveshje për të qenë bashkë në çdo rast ku cilido nga vendet tona përballet me forcat e natyrës. Çfarë të keqe do të kishte për Kosovën, Malin e Zi, Bosnjen që të bashkoheshin në këtë nismë e cila hap rrugën që forcat tona të emergjencave të ndërveprojnë së bashku, të stërviten së bashku, të kenë një sistem të përbashkët alarmi dhe bashkarisht të gjenden aty ku duhet për të ndihmuar. Apo në rastin kur për shkak të gjithë ndryshimeve klimatike sipërfaqe të tërë pyjesh digjen, ku është e keqja që helikopterët e vendeve tona të gjenden aty të gjithë bashkë. Ky është shpirti i kësaj nisme dhe nuk dua të flas më shumë”. /tvklan.al






Të ngjashme