Pasi barazoi me Islandën ku humbi edhe një 11-metërsh, Argjentina shokoi të gjithë njohësit e futbollit në botë me humbjen 3-0 me Kroacinë.

Gjërat nuk kanë si shkojnë më keq do të mendojë dikush, por në fakt gjerat po shkojnë edhe më keq. Raportohet se ka patur debate në dhomat e zhveshjes menjëherë pas ndeshjes. Trajneri Sampaoli ka akuzuar edhe publikisht lojtarët për paraqitje të varfër ndaj Kroacisë ndërsa këta të fundit duket se kanë shkuar më tej duke kërkuar largimin e tij nga kombëtarja para ndeshjes me Nigerinë.

Futbollistët kërkojnë që drejtori i ekipit Jorge Burruchaga, të vendoset si trajner në ndeshjet e mbetura. Por shkarkimi i Sampaolit para përfundimit të kontratës do t’i kushtonte Federatës Argjentinase 20 milionë euro.

Por ka edhe një skenar tjetër që drejtimin e ekipit mund ta marrë drejtori sportiv i federatës 37-vjeçari, Sebastian Beccacece.

Por nëse lojtarët kërkojnë largimin e trajnerit, të tjerë jashtë dhomave të zhveshjes, kërkojnë largimin e Lionel Messit. Një nga gazetarët më të vjetër sportivë në Argjentinë, Fernando Niembro, shkruan se Messi është bërë pronar i kombëtares, se aty luajnë vetëm shokët e tij dhe së të luash vetëm më shokët do të pësosh të tilla humbje.

Për këtë arsye Messi duhet të largohet. Të këtij mendimi janë edhe emra të mëdhenj të futbollit argjentinas si Mario Kempes, Jorge Valdano, Ricardo Caruso Lombardi, Edgardo Bauza e shumë trajnerë të tjerë që thonë se Messi vetëm sa po i prish punë Argjentinës.

I vetmi në mbrojtje të tij duket se ka dalë rivali nga Real Madrid, Luca Modriç. Sipas kroatit që shënoi ndaj Argjentinës, Messi nuk mund të bëjë çdo gjë i vetëm, pa mbështetjen e skuadrës.

Tv Klan