Pak kohë më parë, emisioni “STOP” transmetoi një problem nga qyteti i Sarandës. Në vitin 2016, një firmë ndërtimi i kërkoi bashkisë së Sarandës, shtyrjen e lejes së marrë në vitin 2010, por bashkia nuk ia miratoi atë. Subjekti e fitoi të drejtën në Gjykatën Administrative dhe bashkia e Sarandës, nuk e apeloi këtë vendim. Pas shumë përpjekjeve, bashkia i përgjigjet emisionit “STOP” se nuk është e detyruar të apelojë çdo vendim. Për më tepër, sipas saj, vendimi për shtyrjen e lejes, nuk ishte kundër interesave të bashkisë. Por institucioni i drejtuar nga Floriana Koka nuk shpjegon se pse nuk e miratoi shtyrjen e lejes që në fillim, duke përdorur të njëjtën logjikë të interesit. Nga ana tjetër, siç kishte argumentuar emisioni “STOP”, Gjykata Adminstrative e Apelit pezulloi lejen problematike.

Subjekti ndërtues “A.E.S” shpk është pajisur me leje ndërtimi, sipas vendimit të K.RR.T-së së bashkisë numër 3/1, më datë 06.12.2010 dhe kërkoi shtyrje të afatit, por bashkia e Sarandës nuk e miratoi. Ndaj ky subjekt iu drejtua Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, ku e fitoi të drejtën e shtyrjes së afatit për lejen e ndërtimit, për në datë 10.02.2017.

Pronari- Bashkia më ktheu përgjigje negative, unë e hodha në gjykatë. Në rregull, më dha të drejtë gjykata.

Gazetari – E rrëzoi gjykata vendimin e bashkisë?

Pronari – Po.

Gazetari – E shkallës së parë është ajo?

Pronari – Po, po! Shkalla e parë.

Gazetari – Ka marrë formë të prerë. Jo, ideja është që që kur merr formë të prerë nuk e apelon institucioni.

Pronari – Nuk e apeloi…

Gazetari i emisionit “STOP” iu drejtua bashkisë së Sarandës për të komunikuar me kryetaren e saj, Floriana Kokën.  

Gazetari – Jemi për një problem të vogël këtu.

Kryetarja – Çfarë problemi është?

Gazetari – Me një leje që nuk e keni dhënë.

Kryetarja – Vetëm emrin e subjektit që ka kërkuar leje, që ta verifikojmë në urbanistikë. Ndërkohë unë kam një takim me një drejtoreshë të rëndësishme.

Gazetari – Pastaj më vonë?

Kryetarja – Po, më vonë do flasim.

Gazetari – Nga ora 11?

Kryetarja – Jo, më vonë.

Kryetarja – Deri nga ora 1besoj do jem e angazhuar.

Në orën 13:00 gazetari u rikthye në bashkinë e Sarandës dhe ja çfarë përgjigje mori.

Sekretarja – Nuk mund t’ju presë sot…

Gazetari – Sot.

Sekretarja – Do t’ju kthejë përgjigje tha…

Gazetari – Pse ka diçka për të fshehur? Ajo tha në orën 1 pra. Do pres kryetaren, ashtu siç më tha.

Roja – Çohu tani!

Gazetari – Nuk çohem.

Roja – Unë kam një urdhër, të lutem vazhdo tani!

Gazetari – Ku e ke urdhrin? Ma jep me shkrim!

 

Më pas, çuditërisht kryetarja gjeti kohë për gazetarin.

Gazetari – Erdha si njeri në mëngjes. Më the kam aktivitet. Erdhëm në 1, bëmë kërkesë.

Kryetarja – Si drejtuese e institucionit , që në bashkëpunim me drejtoritë, jo vetëm të urbanistikës, por edhe drejtorinë juridike, mund ta verifikoj rastin.

Gazetari – Ja e keni këtu, mund ta verifikoni.

Kryetarja – Por nuk është një gjë që bëhet brenda ditës.

Gazetari – Po bëhet, pse jo?

Kryetarja – Nuk bëhet, i dashuri im, se ka ca afate ligjore.

Gazetari – Tani kjo ka ikur, është fakt sepse lejen ai e ka marrë, e ka vënë në tabelë.

Kryetarja – Ti nuk mund të hamendësosh. Këtë nuk e bën dot!

Gazetari – Jo, me prova.

Kryetarja – Me prova do t’i japësh. Unë mbaj përgjegjësi për firmën që hedh dhe për dokumentat që nxjerr. Të jap mundësinë ta bësh punën tënde.

Gazetari – Unë dua ta bëj punën time, po dua ta bëj ashtu siç është, pa e shtrembëruar.

Kryetarja – Absolutisht po!

Gazetari – Siç është. Vetëm këtë vendim, pse nuk është apeluar?

Pas komunikimit me kryetaren e bashkisë së Sarandës, Floriana Kokën, për arsyen se pse nuk është apeluar vendimi i Gjykatës Administrative i Shkallës së Parë, përgjigjia erdhi më datë 24.03.2017, ku thuhet se jo çdo vendim i Gjykatës Administrative mund të apelohet sepse në këtë rast disponimi që është bërë për këtë vendim nuk cënon aspak interesat e institucionit.

Por meqënëse nuk cënohen interesat e bashkisë, pse nuk është miratuar këtë kërkesë që në fillim kur e ka kërkuar subjekti?  Gazetari i emisionit “STOP” shkoi sërish në bashkinë e Sarandës për të marrë përgjigjen e kësaj pyetjeje.

Zëdhënësi – Do të ishte e domosdoshme bërja e kësaj kërkesës.

Gazetari – Po pse?

Zëdhënësi – Kështu funksionon institucioni…

Gazetari – Jo, se është mungesë transparence.

Zëdhënësi – Jo, nuk është mungesë transparence sepse nuk po të thotë dikush ik se nuk të japim përgjigje.

Gazetari – Në fund të ditës të presim, është e sigurtë që do ta marrim prononcimin?

Zëdhënësi – Tani është e sigurtë, unë po ta them.

Gazetari – Pastaj do dalësh ti gënjeshtar.

Zëdhënësi – Jo, unë nuk jam duke gënjyer.

Pas 4 orësh…

Gazetari – E merr e njofton edhe një herë se 4 ora. Nuk ka argumenta ajo përgjigje. Ma jep ti, pa e lexuar.

Zëdhënësi – Ti s’e ke hapur akoma.

Gazetari – E kam këtu…

Zëdhënësi – Jo, jo! Hape lexoje. Mirupafshim!

Gazetari – Zotëri! Paguhesh për këtë ti. The për intervistë më parë.

Pra edhe këtë herë nuk u mundësua një përgjigje në Bashkinë e Sarandës, por erdhi në një shkresë më shkrim, ku thuhej sërish se nuk janë cënuar interesat e institucionit.

Çështja shkoi në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë dhe më datë 27.04.2017 trupi gjykues,  i kryesuar nga Artur Malaj dhe anëtare Fjoralba Prifti dhe Blerona Hasa, vendosi pezullimin e aktit administrativ, pra lejen e shtyrjes të dhënë nga bashkia e Sarandës.

Bashkia Sarandë tanimë duhet ta pranojë që e kishte gabim…/tvklan.al