Është shtyrë më datë 17 Korrik në orën 09:00 seanca gjyqësore në GJKKO ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. “Është e gjitha situatë absurdi”, kështu u shpreh ai për mediat, duke theksuar se procesi për “Gërdecin” po shndërrohet në një ‘rrugë pa krye’.


Nuk ka interes për të vërtetën, mënyra si debatohet, si shqyrtohet çështja. U bë e disata herë. Të bëhet një akt-ekspertimi i ri që të vërtetojë përgjegjësitë që ka ministri”, tha Mediu.

Edhe në sallën e gjyqit më herët u raportuan debate si pasojë e pyetjeve të shumta që avokati i Mediut, Ardian Visha u drejtoi 5 ekspertëve që përcaktuan dëmin ekonomik të shpërthimit në vitin 2008.  Ekspertët kërkuan kohë që të njihen me materialin voluminoz, të cilin e kanë përpiluar vetë 16 vite më parë.

Sa i takon përplasjeve me Irena Gjokën në sallën e gjyqit, Ardian Visha u përgjigj: Dini ndonjë rast që ka ndërhyrë prokurori dhe Prokuroria t’i ketë tërhequr vërejtje? Ne nuk na lejojnë të bëjmë pyetje.


Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në procedurat për ngritjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec. Akt-ekspertimi në atë kohë tregon se shtetit iu shkaktua një dëm prej 59 mln Lekësh, pasi nuk ishte përllogaritur transporti i municioneve.

-Nga shpërthimi në Gërdec më 15 Mars 2008 humbën jetën të paktën 26 persona e u plagosën qindra të tjerë.

E.D/tvklan.al