Situata në Shëngjin është shumë dramatike. Pamjet e siguruara nga gazetari Martin Marku tregojnë se situata është shumë e rëndë.

Flakët kanë përfshirë tërësisht pemët duke krijuar vatra të mëdha zjarri. Si pasojë gjithçka duket apokaliptike me gjërat që digjen rreth e rrotull.

Ndërkohë siç mund të shihni në video, në një moment zjarrfikësit dhe policia vrapojnë për të shpëtuar nga një vatër shumë e madhe flakësh.

“Ikni! O çfarë katastrofe! Ua çfarë nxehtësie, nuk kam parë kështu”, dëgjohet të thuhet në video.

Ndërkohë për shuarjen e zjarreve kanë nisur operacionin edhe dy avionë Canadair që kanë ardhur nga Italia.

Gazetari Merin Maçi raportoi në afërsi të Portit të Shëngjinit ku tha se tre banesa janë dëmtuar pjesërisht nga flakët e zjarrit.

Ai ndodhej pranë një pikë hidrokarburesh ku janë përqendruar forca të shumta zjarrfikëse dhe të armatosura. Autoritetet duan të shmangin çdo lloj afrimi të flakëve në këtë biznes, por edhe banesave që ndodhen pas tij.

Ndërkohë siç ka raportuar gazetari Martin Marku në zonë janë dëgjuar edhe shpërthime të forta. Zjarri u riaktivizua pranë ish-zonës ushtarake dhe dyshohet për shpërthime të municioneve të mbetura aty prej vitesh (Lexo më shumë).

Një apel për situatën e pati nga parlamenti edhe deputeti Agron Gjekmarkaj, i cili si përfaqësues i zonës së Lezhës kërkoi që të merren masa për shuarjen e flakëve (Lexo më shumë).

/tvklan.al