Në kuadër të operacionit policor të koduar “The debt” janë lënë në arrest me burg 4 persona dhe 3 të tjerë në arrest shtëpie.

Konkretisht – U caktua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: Tori Xhecuka, alias alias Hektor Xheçuka, 36 vjeç, Aleksander Osmani, 37 vjeç, Artan Pirraci, 50 vjeç, dhe Fredi Keta, 49 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

– U ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit: Naim Qarri, 52 vjeç, Sajmir Kolaveri, 42 vjeç dhe Adem Metkola, 46 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë peng një 35-vjeçar dhe e kanë kanosur atë për dhënie pasurie në Tiranë.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se sektori i hetimit të Krimeve te Rënda në Policinë e Tiranës, prej të paktën 3 muajsh kishte nisur hetimet në lidhje me pengmarrjen e 35-vjeçarit. I riu është marrë peng për të paktën 1 orë ku është dhunuar nga autorët. Burimet bëjnë me dije se këta të fundit i kanë kërkuar 35-vjeçarit një shumë prej 70 mijë Eurosh.

I dhunuari pasi është lënë i lirë nga autorët ka bërë kallëzim pranë policisë. Sektori i hetimit të krimeve të rënda kreu veprime proaktive ku arriti në identifikimin e 7 personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë.
Deri më tani janë ekzekutuar 5 prej masave të sigurisë, konkretisht: “arrest në burg”, për Aleksandër Osmani, Artan Pirraci, si dhe “arrest në shtëpi”, për Naim Qarri, Sajmir Kolaveri, dhe Adem Metkola.
Ndërkohë po punohet për arrestimin e Tori Xhecuka, alias Hektor Xhecuka, dhe Fredi Keta.

Xhecuka rezulton në kërkim edhe për llogari të SPAK, si i përfshirë në dosjen “Revanshi”. Burime bëjnë me dije se Xhecuka dyshohet se është arratisur drejt Dubait. Ai akuzohet nga SPAK për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, në 4 Nëntor të vitit 2020, vrasje e mbetur në tentativë ndaj Hamza Tërziu, sigurim i kushteve për të kryer vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, parashikuar nga nenet 109/b dhe 110/2 të Kodit Penal./tvklan.al