Një nga çështjet më të rëndësishme për t’u trajtuar në lidhje me turizmin vendas është edhe cilësia e shërbimit. Shpesh, në vend hasen mangësi në shërbim pasi nuk ka një infrastrukturë të mirëfilltë, merret staf nga kryeqyteti për të përballuar fluksin, por sërish nuk arrijnë ta përballojnë.

Shërbimi i ofruar nga vendasit ka një nuancë të kulturës tradicionale dhe mënyrës së komunikimit nga qyteti që përfaqësojnë. Në shumë raste, shërbimi nuk e justifikon çmimin e vendosur në destinacionet e pushimit në Shqipëri.

Të ftuarit e panelit në emisionin “Historia Ime” në Tv Klan evidentojnë më qartë këtë problematikë dhe shkaqet e saj që shtrihet jo vetëm në sezonin veror kur edhe është më e dukshme, por përgjatë të gjithë vitit.

Mirela Milori: Si i bëhet për t’u përmirësuar dhe hequr njëherë e mirë kjo situatë?

Erinda Laci: Këtë vit kam kuptuar që ishte e vështirë edhe për të gjetur kamarierë, personalisht e kam patur të vështirë, nuk e di se nga u zhdukën.

Mirela Milori: Edhe nga Tirana? Ndoshta iu rrisin rrogat këtu dhe nuk lëvizin për sezon.

Erinda Laci: Po, edhe nga Tirana. Megjithatë, mendoj se gjëja më e mirë që duhet të bëjmë është të përmirësojmë shërbimin, duke i trajnuar në radhë të parë dhe duhet parë kjo pjesa e trajnimit shumë seriozisht sepse turistët dhe cilësia e tyre matet nga shërbimi dhe cilësia e shërbimit që ne ofrojmë.

Mirela Milori: Si i bëhet për të patur njerëz shërbimi? Kam parasysh mikpritjen që te dera apo kamerierin që vjen të ofron e sugjeron dhe nis një moment që e lë bakshishin me dëshirë në fund.

Rrahman Tafa: Tek ne mungon kjo kulturë shërbimi dhe kultura në përgjithësi e turizmit dhe e punës. Jashtë, një kamarier e sheh punën si biznesin e tij, jo thjesht për të kalaur orarin siç ndodh rëndom tek ne. Ka patur gjithnjë vështirësi në gjetjen e stafit të kualifikuar, një pjesë u largua gjatë pandemisë ose i larguan subjektet për të mos i likuiduar pasi duke mos operuar në biznes dhe duke mos patur fitim, u detyruan. Punonjësit e kualifikuar gjetën alternativa të tjera, ne kemi statistika, duke qenë në pozicionin e kryetarit të Unionit Turistik të Shqipërisë, përfaqësoj një pjesë të madhe të bizneseve, kam informacion të gjerë për këtë dhe ata që kanë mbetur, kanë lëvizur në jug ose Durrës për shkak të pagave më të larta ose jashtë vendit.

Mirela Milori: Hoteli juaj ku është?

Erinda Laci: Në Tiranë, por edhe pse është në Tiranë është prapë vështirësia sepse është pjesa e pagës që të konkurron shumë pjesa e Jugut.

Blerina Ago: Ankohet Tirana, imagjino se ç’ndodh në një biznes i cili është në rrethet e Shqipërisë apo në zonat më të thella dhe unë mendoj që një nga efektet më negative që solli pandemia ishte humbja e burimeve njerëzore të kualifikuara në turizëm, të paktën aq sa kishim sepse siç e shpjegoi edhe Rrahmani, ka pasur një lëvizje të menaxherëve drejt industrive të tjera sepse nuk ka patur mundësi që të paguheshin. Mendoj që kjo gjë duhet të lidhet shumë me sezonalitetin. Besoj se është shumë e rëndësishme që të gjithë ne, përfshirë qeverinë vendore dhe qendrore, të vrasim mendjen si të bëjmë që turistët të qëndrojnë më gjatë dhe të shpenzojnë më shumë sepse nuk mund të ketë shërbim ekselent nëse e bazojmë vetëm në 3 muaj, prandaj ka lëvizje të stafit, sepse ne, sipërmarrësit e turizmit, nuk jemi të zotët të krijojmë një staf vjetor të qëndrueshëm.

Rrahman Tafa: Ne kemi kërkuar gjithmonë që së paku shteti të ndërhyjë në pjesën sezonale gjatë dimrit, të japë një pagë minimale siç bën Greqia apo shtete të tjera, ose të paguajë sigurimet shoqërore me qëllim që mos të shkëputen nga borderoja dhe ta kenë më të vështirë largimin nga ana morale. Jo vetëm këtu, por edhe në aspekte të tjera, kemi probleme me organizimin, menaxhimin, politikëbërjen sepse është shteti ai që i disiplinon dhe rregullon gjërat, prandaj quhet rregullator. Shpesh herë i kemi kërkuar këto, por shteti kursehet, duke patur parasysh që turizmi prodhon, është sektori i dytë i ekonomisë, duhet të përkthehet që ta ndihmojë të ngrihet dhe të përmirësojë standardet./tvklan.al