Sekuestro Preventive për një hotel në ndërtim dhe truallin ku ndërtohet hoteli në Himarë. Nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, është bërë zbatimi i Vendimit Penal nr. 1314, datë 20.06.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi një objekt hotel në ndërtim.

Në një njoftim për mediat Policia thotë se “ky ndërtim ka qenë i lejuar me vendimin nr.64, datë 30.07.2018 nga ana e bashkisë Himarë dhe leja e ndërtimit është dhënë në favor të një shoqërie sh.p.k, me administrator shtetasin F. H., si dhe një sipërfaqe toke truall prej 700 m2, e ndodhur në Spile Himarë ku po ndërtohet ky hotel”.

Vlera financiare e objektit dhe truallit kap shifrën rreth 500.000 euro.

Ky sekuestrim u bë në kuadër të procedimit penal nr. 342 viti 2019, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve“ dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal./tvklan.al