Senati sfidon Trump, voton kundër “emergjencës kombëtare” – TV KLAN

Senati sfidon Trump, voton kundër “emergjencës kombëtare”

Senati amerikan miratoi të enjten një rezolutë që kundërshton shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare nga Presidenti Donald Trump lidhur me kufirin jugor të vendit.

Rezoluta e miratuar me rezultatin 51 me 49, sfidon kërcënimin e Presidentit se do t’i verë veton rezolutës.

Dymbëdhjetë senatorë republikanë mbështetën rezolutën e miratuar në muajin shkurt nga Dhoma e Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga demokratët. Rezoluta nuk ka të ngjarë të kthehet në ligj në kushtet kur nevojiten dy të tretat e votave të Kongresit për të rrëzuar një veto të Presidentit.

“Jam gati për të vënë veton, nëse do të jetë e nevojshme,” shkruante zoti Trump të enjten në mëngjes në një postim në Twitter. Këtë javë nënpresidenti Mike Pence u takua me senatorët republikanë në përpjekje për të zbutur mbështetjen ndaj rezolutës që kundërshton gjendjen e emergjencës.

Disa republikanë janë shprehur të shqetësuar se presidentët e ardhshëm demokratë mund të uzurpojnë fuqinë e Kongresit për të financuar qeverinë dhe të përdorin shpalljen e gjendjes së emergjencës për të financuar programet e tyre.

Mosmarrëveshja politike lidhen me miliarda dollarë fonde për një mur përgjatë kufirit amerikan me Meksikën kërkuar nga zoti Trump, por që Kongresi ka refuzuar tia sigurojë plotësisht. Ngërçi çoi në një mbyllje të pjesshme të agjencive qeveritare për 35 ditë, që përfundoi në Janar./VOA

Kategori
BotaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*