Vuçiç flet me superlative për bashkëpunimin me Pekinin

Në vitet e fundit, Kina ka investuar me miliarda euro në Serbi dhe në vendet fqinje të Ballkanit, duke shpresuar të zgjerojë gjurmën ekonomike në Europën Qendrore dhe Lindore. Investimet kineze në projektet infrastrukturore “Rruga e Mëndafshit”, bëhen përgjithësisht me kredi, ndërsa punimet kryhen nga kompani kineze. Ndërkohë, disa vende kanë hasur vështirësi në shlyerjen e borxheve.

Serbia edhe pse dëshiron qe të anëtarësohet në Bashkimin Europian, ka marrë miliarda euro investime nga Kina.Madje një e treta e investimeve të huaja në Serbi, vijnë nga Kina. Ky shtet është partneri i dytë më i madh i Serbisë në tregtinë e jashtme pas Gjermanisë.

Në një intervistë për agjensinë e lajmeve Reuters, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç vlerësoi Kinën për besueshmërinë dhe miqësinë e saj.

Vuçiç tha se kompanitë kineze kanë marrë përsipër projekte transformuese të infrastrukturës, me një vlerë prej rreth 4 miliardë Euro. Këto projekte pritet të rezultojnë me ndërtimin e afro 300 kilometra rrugëve të reja në Serbi.

Investimet kineze kanë të bëjnë edhe me ndërtimin e një autostrade 105 km e gjatë që lidh Beogradin, Zrenjanin dhe Novi Sadin. Serbia ka kryer blerjen nga Kina në vlerën 54 milionë euro të pesë trenave të shpejtësisë së lartë për linjën hekurudhore Beograd-Budapest. Po ashtu një kompani kineze, do të investojë 3.8 miliardë dollarë në kompleksin e minierave në Serbi.

Serbia po forcon ndjeshëm bashkëpunimin ushtarak me Kinën duke blerë veçanërisht sisteme të mbrojtjes ajrore dhe dronë. Serbia dhe Kina kanë rënë dakort që të formojnë kompaninë e përbashkët për prodhimin e raketave tokë-tokë me rreze deri në 280 kilometra, të cilat do të prodhohen në Serbi dhe eksportohen në gjithë botën.

Klan News