Qeveria kosovare: Vaksina nuk ka hyrë legalisht, do marrim masa

Një ditë pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se ka nisur vaksinimi edhe ne veri të Kosovës, qeveria Hoti e ka mohuar një gjë të tillë. Përmes një komunikate zyrtare, autoritetet kanë mohuar që vaksina Pfizer të ketë hyrë në mënyrë zyrtarë në territorin e Kosovës dhe nëse ajo ka hyrë ilegalisht do të merren masa.

“Nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra. Përndryshe institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje, as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare”, tha Hoti.

Ndërkohë sipas mediave kosovare, paraditen e së shtunës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës ka nisur vaksinimi prej dy ditësh. Kështu në komunën e Zveçanit qytetarët mbi 65 vjeç u grumbulluan në Qendrën Shëndetësore të kësaj komune për ta marrë vaksinën që ua solli qeveria e Serbisë.

Përveç Zveçanit, vaksinat kundër virusit Covid-19 janë planifikuar të merren edhe nga banorët e moshuar të Zubin Potokut. Nga ana tjetër qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me aleancën COVAX dhe do të përfitoje vaksinën për 20 % të popullatës.

Tv Klan